Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka miratuar marrëveshjen për bashkëpunim bërthamor civil me Arabinë Saudite, një zhvillim që pritet të ngjallë debate dhe shqetësime për sigurinë në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të New York Times dhe Wall Street Journal, marrëveshja është nënshkruar nga Trump dhe pritet të shpallet zyrtarisht gjatë së mërkurës.
CNN raporton se Shtëpia e Bardhë kishte rënë dakord t’i lejonte Arabisë Saudite pasurimin e uraniumit, pa kërkuar zbatimin e disa masave mbrojtëse ndërkombëtare që synojnë të pengojnë zhvillimin e armëve bërthamore.
Burime të njohura me negociatat thanë se marrëveshja përfshin kushte të vendosura nga SHBA, por detajet e kufizimeve nuk janë bërë publike.
E njohur si “Marrëveshja 123”, ajo krijon kuadrin ligjor për bashkëpunimin bërthamor civil mes dy vendeve, por nuk garanton automatikisht transferimin e teknologjive apo materialeve më të ndjeshme bërthamore.
Marrëveshja shihet si një hap që mund të ndryshojë ekuilibrat në rajon. Izraeli, i cili besohet se zotëron armë bërthamore të padeklaruara, ka shprehur prej kohësh rezerva për programin bërthamor saudit.
Nga ana tjetër, Irani vijon programin e tij bërthamor, duke këmbëngulur se ai ka vetëm qëllime civile, ndërsa ka grumbulluar rezerva të konsiderueshme uraniumi të pasuruar.
Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka deklaruar më herët se nëse Irani siguron armë bërthamore, edhe Arabia Saudite do të ndjekë të njëjtën rrugë.
Burimi: botasot.info


