Trump i “paparashikueshëm”, sinjalizon rikthimin në dialog – A do ta zgjidhë çështjen Kosovë–Serbi?

June 26, 2025
min lexim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është në qendër të vëmendjes me deklaratat dhe vendimet e marra së fundi.

Madje, presidenti Trump ka rikthyer sërish në vëmendje ndërhyrjen e tij në dialogun Kosovë–Serbi, duke deklaruar se falë angazhimit të tij u “parandalua një luftë e mundshme” mes dy vendeve gjatë mandatit të tij të parë.

Në një deklaratë për “Fox News”, Trump ka theksuar se për përpjekjet e tij në këtë dhe në çështje të tjera ndërkombëtare, ai do të duhej të shpërblehej me Çmimin Nobel.

“Duhet të më jepnin Çmimin Nobel për Ruandën, a e keni parë rastin e Kongos? Mund të thoni rasti Serbi-Kosovë. Mund të thoni shumë prej tyre. Më i madhi rast që e kam zgjidhur është Indi- Pakistan. Duhet ta kisha marrë katër ose pesë herë çmimin”, u shpreh Trump, pasi u pyet nëse do ta meritonte këtë çmim për zgjidhjen eventuale të krizës mes Izraelit dhe Iranit.

Kjo deklaratë e radhës e presidentit amerikan duket se është sinjal se ky i fundit e ka marrë seriozisht çështjen Kosovë-Serbi.

 Përveç kësaj, vetëm ditë më parë ai përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”, la të kuptohet se synon të rikthehet në skenën ndërkombëtare dhe të rifillojë angazhimin në procesin e dialogut Kosovë–Serbi.

Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin me tensione të larta, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndalova atë. Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe – por do ta rregulloj përsëri!”, shkroi Trump.

Mirëpo, si duhet parë këto deklarata të Trump dhe sa ka shpresë se ky i fundit mund t’i zgjidh problemet mes dy palëve?

Aliçkaj: Presidenti Trump dhe Republika e Kosovës

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli drejtori i LQSHA, Agim Aliçkaj.

Në radhë të parë, ai potencoi se deklaratat e Trump kanë ndezur debate të shumta në Kosovë, derisa tha se presidenti amerikan është i paparashikueshëm.

Sipas tij, në një afat shumë të shkurtër Truump do të merret me çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

“Deklaratat e fundit të Presidentit Trump ku përmendet Kosova, kanë ndezur një debat të madh dhe interesant në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë. Secili po e interpreton atë në mënyrën e vet, sipas interesave të veta. Për një gjë, besoj se të gjithë pajtohemi që Presidenti Trump është i paparashikueshëm.

Unë mendoj se Trump e ka bërë këtë për ta paraqitur veten si një udhëheqës i interesuar dhe i përkushtuar për paqen në botë, duke synuar edhe çmimin Nobel.  Kjo nuk do të thotë që Trump do të merret me çështjen e Kosovës dhe Serbisë në një afat të shkurtër. Ai ka probleme kaq të mëdha në kokë, si lufta në Iran, Ukrainë dhe Palestinë, shto problemet e brëndshme të SHBA-së, saqë nuk ka kohë të merret me një problem të vogël si ai midis Kosovës dhe Serbisë”, nënvizoi ai.

Po ashtu, Aliçkaj foli edhe për prezencën e ushtarëve amerikanë në Kosovë, derisa tha se edhe me vendimet e qeverisë së Kosovës në veri, gjasat për të kryer shteti serb akte terroriste në vendin tonë janë zvogëluar.

“Kosova është një vend paqësor ku funksionojnë ligji dhe demokracia, ku pakicat gëzojnë të drejtat kombëtare dhe njerëzore si askund tjetër në botë. Veriu i Kosovës është qetësuar gati plotësisht, falë veprimeve të drejta dhe të guximshme të qeverisë Kurti në katër vitet e fundit. Bandat e regjimit autokratik të Vuçiçit janë kapur ose dëbuar nga Kosova, së fundmi edhe aktivisti urrejtës Aco Arsenijeviç.

Ushtarët e NATO-s, përfshirë edhe ata amerikanë, janë në Kosovë dhe ruajnë kufijtë e saj. Ata e dinë se në rast të agresionit serb kundër Kosovës, gjysma e Evropës do të përfshihet në konflikt. Kërcënimet e Serbisë janë të kota. Mundësitë e saj për të kryer akte terroriste janë zvogëluar shumë pas shkatërrimit të bandës së Radoiçiqit”.

Image

Agim Aliçkaj

Në vazhdim, drejtori i LQSHA-së vlerëson se pasi t’i vë nën kontroll luftërat aktuale, Trump do synojnë të gjej një zgjidhje përfundimtare për konfliktin Kosovë-Serbi,

Në këtë pikë, ai kritikoi raportimet se kinse Trump preferon një qeveri të re të Kosovës, pa Kurtin.

Ai konsideron se këto janë pretendime qesharake, kjo për disa arsyje.

“Megjithatë, nuk ka dyshim se në një kohë më të përshtatshme, pasi luftërat aktuale të vihen nën kontroll, administrata e Presidentit Trump do të kthehet te zgjidhja përfundimtare e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova duhet të jetë gati për këtë. Qetësia në Veri dhe në të gjithë Kosovën, si dhe krijimi i shpejtë i institucioneve qeverisëse krijojnë një pozicion shumë më të favorshëm për Kosovën.

Informacioni në disa media që nga “burimet” e tyre, pa specifikuar se kush janë, brenda administratës Trump tregojnë se janë shumë “të pakënaqur” me deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, me të cilën ai vlerëson rolin amerikan, por tërheq vëmendjen te fajtori serb, është një mashtrim i pastër. Z. Kurti nuk ka paraqitur kushte për Amerikën, por për regjimin shovinist serb të Vuçiqit.

Më keq akoma, pretendimet e disa kundërshtarëve të zotit Kurti se Trump preferon një qeveri pa kryeministrin Kurti janë qesharake. Jam i bindur se ai, për shumë arsye, nuk merret me emra, por ia lë shumicës së popullit të Kosovës të vendosë se kush duhet ta udhëheqë Kosovën. Sigurisht, ai preferon një qeveri të fortë që di çfarë dëshiron dhe punon me përkushtim për ta arritur atë. Ai nuk ka as kohë dhe as nerva të merret me njerëz të korruptuar, servilë dhe dembelë që presin që Amerika t’ua rregullojë punët”, shpejgoi Aliçkaj.

Ndër të tjera, ai kishte disa fjalë për të gjithë liderët politikë në Kosovë dhe një mesazh për atë se çka do synojë Trump, ku tha se ky i fundit preferon politikanë që punojnë për popullin dhe shtetin e tyre.

Thënë troç, sipas mendimit tim, këto kushte aktualisht i plotësojnë më së miri kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, të ndihmuar nga disa bashkëpunëtorë të tyre. Më vjen keq të them se shumica e udhëheqësve të opozitës nuk i plotësojnë kushtet themelore për mbrojtjen dhe ndërtimin e shtetit. Ata duhet të ndryshojnë dhe të bëhen më të mirë se Kurti për të fituar mbështetjen e popullit dhe më pas ndoshta edhe të Presidentit Trump.

Meqenëse Serbia kërkon luftë, ndërsa Kosova dëshiron paqe, mendoj se kur të vijë koha që Trump të merret me zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe Serbisë do të anojë më shumë nga paqja, domethënë nga një Kosovë pro-amerikane. Ndërsa, nëse rastësisht mendon për liderë të Kosovës, preferenca e tij do të jetë për ata që i shërbejnë popullit të Kosovës, që punojnë dhe thonë: “Kosova e para” dhe “Bëje Kosovën të fortë”. Në fund të fundit, kjo varet kryesisht nga secili prej nesh”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

“Angazhimi i Trump në raporte me Kosovën dhe Serbinë”

Kurse, edhe profesori Fejzullah Berisha në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” komentoi ndikimin e presidentit Trump në çështjen e Kosovës me Serbinë.

Si fillim, ai përmendi përfshirjen e administratës amerikane në dialogun mes dy palëve, ku me që rast Trump vendosi të marrë një rol aktiv në synimet për normalizim të raporteve Prishtinë-Beograd.

Le ta shohim në mënyrë praktike dhe të thelluar çështjen Kosovë–Serbi, në raport me angazhimin e Donald Trump dhe pretendimin e tij për Çmimin Nobel për Paqe, në kontekstin e diplomacisë ndërkombëtare, marrëveshjeve të arritura dhe ndikimit të mundshëm real.

1. Përfshirja e administratës Trump në dialogun Kosovë–Serbi

Në vitin 2019 dhe sidomos gjatë vitit 2020, administrata Trump vendosi të marrë një rol aktiv në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke i shtyrë palët drejt një marrëveshjeje ekonomike – me fokus të qartë në bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturor, në vend të trajtimit të çështjeve politike të statusit apo njohjes.

Në këtë proces, Trump emëroi Richard Grenell si të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë–Serbi, një veprim që sinjalizoi përfshirjen direkte të presidentit”.

Krahas kësaj, Berisha theksoi marrëveshjen e arritur në Uashington, ku me që rast edhe erdhi më pas njohja e Izraelit për Kosovën.

Përveç kësaj, ai shpjegoi edhe disa detaje të kësaj marrëveshjeje.

“2. Marrëveshja e 4 Shtatorit 2020 në Uashington

Më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nënshkruan dy dokumente të ndara, por me përmbajtje të koordinuar, nën ndërmjetësimin e Trump. Ajo u quajt nga administrata amerikane “Marrëveshje për Normalizimin Ekonomik”.

Çfarë përmbante marrëveshja?

Për Kosovën dhe Serbinë:

-Fillimin e linjës hekurudhore dhe rrugore Prishtinë–Merdare–Nish.

-Lidhje ajrore Beograd–Prishtinë (me ndërmjetësim të Lufthansa-s).

-Përdorimin e Liqenit të Ujmanit (Gazivodës) në mënyrë të përbashkët.

-Zhvillimin e zonave të veçanta ekonomike.

-Përfshirjen e DFC (US International Development Finance Corporation) për investime konkrete në Kosovë dhe Serbi.

-Ndalim i fushatës së njohjeve dhe çnjohjeve për një periudhë 1-vjeçare.

Për Kosovën:

-Zotimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem, duke u bërë shteti i parë me shumicë myslimane që e bën këtë.

-Kjo u përshëndet nga Izraeli dhe nga Trump si “akt historik”.

Për Serbinë:

Zotimi për të zhvendosur ambasadën në Jerusalem, por Beogradi më pas e pezulloi këtë nën presionin e BE-së”, shtjelloi profesori.

Në vazhdim, foli edhe për reagimet dhe vlerësimet që ndërkombëtarët ia bënë kësaj marrëveshje të mundësuar dhe negociuar nga Trump.

Image

Fejzullah Berisha

“3. Vlerësimi ndërkombëtar i marrëveshjes

Administrata Trump e paraqiti marrëveshjen si sukses të paqes, ndërsa vetë Trump u përgëzua nga përkrahësit për arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme në një zonë me histori konflikti të përgjakshëm.

Deputetë norvegjezë dhe suedezë e nominuan Trump për Çmimin Nobel për Paqe, për rolin e tij në këtë marrëveshje. Argumenti ishte: ai kishte ndihmuar në uljen e tensioneve historike dhe promovimin e zhvillimit ekonomik si rrugë drejt paqes.

Por…”, nënvizoi Berisha.

Më tej, ai tregoi rezervat e tij për këtë marrëveshje, derisa foli për mangësitë që ka hasur në praktikë.

Në këtë pikë, përmendi edhe izolimin që ia bëri BE, Kosovës.

“4. Kritikat dhe mangësitë praktike

Pavarësisht lavdërimeve, realiteti praktik i zbatimit të marrëveshjes është më kompleks dhe i kufizuar:

-Mungesa e një marrëveshjeje politike për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë ishte thelbi i munguar. Marrëveshja nuk e përfshinte këtë çështje fare.

-Zbatimi mbeti i pjesshëm dhe shumë pika të marrëveshjes nuk u realizuan:

Linja hekurudhore nuk u funksionalizua.

Zhvillimi i Liqenit të Ujmanit u pezullua për shkak të mungesës së një marrëveshjeje teknike.

Ambasada e Serbisë në Jerusalem nuk u hap.

Ndërkohë, Kosova përjetoi izolim diplomatik në raport me BE-në për shkak të ambasadës në Jerusalem, për të cilën më vonë qeveria Kurti e rikonfirmoi me vështirësi”.

Gjithashtu, nënvizoi ndikimet pozitive dhe negative që kishte marrëveshja e arritur në Uashington për shtetin tonë.

“5. A ndikoi kjo marrëveshje në realitetin e Kosovës?

Pozitivisht:

-Përfshirja e SHBA-së, përkohësisht, rriti profilin ndërkombëtar të Kosovës.

-Vendimi i Izraelit për ta njohur Kosovën ishte një fitore e rëndësishme diplomatike.

-U krijua një klimë më konstruktive për dialog teknik mes palëve.

Negativisht:

-Kosova u fut në një marrëveshje asimetrike, ku fitoi njohje nga Izraeli por nuk mori njohje nga Serbia.

-Zbatimi i marrëveshjes mbeti formal dhe pa efekte të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve.

-U akuzua si marrëveshje për përdorim elektoral nga Trump, që donte ta paraqiste si fitore të diplomacisë së tij para zgjedhjeve të nëntorit 2020”.

Në fund, profesori përmbylli komentin me përpjekjet e Trump për përmirësimin e raporteve mes dy palëve, ku mes të tjerash kishte disa fjalë për pretendimet e tij për Çmimin Nobel.

“6. Konkluzion praktik dhe politik

Në praktikë, përpjekjet e Trump për Kosovën dhe Serbinë ishin:

-Më shumë një nismë ekonomike me elemente të marketingut diplomatik.

-Nuk sollën një marrëveshje paqeje apo njohje reciproke, që është objektivi kryesor për Kosovën.

-Trump ndërmjetësoi dialog, por nuk zgjidhi konfliktin.

Për rrjedhojë, pretendimi për Çmimin Nobel për Paqe, nëse shihet me lente realiste dhe juridike, është i mbështetur më shumë në simbolikë dhe propagandë, sesa në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.

Megjithatë, në aspektin historik, përfshirja e Trump në çështjen e Kosovës është një kapitull më vete dhe dëshmon për potencialin e madh që SHBA ka për të ndikuar drejtësinë ndërkombëtare dhe zhvillimet në Ballkan – nëse ka vullnet politik serioz dhe afatgjatë”, përmbylli Fejzullah Berisha për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Lajmi i mëparshëm

Temperatura deri në 38 gradë, parashikimi i motit për sot

Të fundit nga

Horoskopi i datës 26 qershor 2025

Dashi Yjet do ua zbukurojnë çdo moment gjatë kësaj dite dhe gjërat për ju do ecin më së miri. Për ju të dashuruarit e sotmja do jetë shumë e qetë. Për fatin
sqmken
ShkoLartë