Mattia Missiroli, kryetar bashkie i Cervias në provincën e Ravenës, është nën hetim për keqtrajtim dhe sulm ndaj bashkëshortes së tij, nga e cila është në proces ndarjeje.
Prokuroria Publike e Ravenës ka kërkuar caktimin e masës paraprake të paraburgimit, por kërkesa është rrëzuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake të Gjykatës së Ravenës, shkruajnë mediat italiane.
Sipas Resto del Carlino dhe Corriere Romagna, gjyqtari vlerësoi se episodet e dyshuara ishin sporadike dhe se Missiroli ishte larguar nga banesa familjare një ditë pas paraqitjes së gruas në urgjencë. Megjithatë, Prokuroria Publike raportohet se po përgatit një ankim në Gjykatën e Apelit në Bolonjë për të kërkuar vendosjen e masës paraprake.
Kush është Mattia Missiroli
Mattia Missiroli, 44 vjeç, është arkitekt i pavarur dhe u bë i njohur më herët për pjesëmarrjen e tij si mbrojtës në reality show-n e futbollit “Campioni, il sogno”, kushtuar klubit të futbollit Cervia. Ai është kryetar bashkie i qytetit turistik që prej 10 qershorit 2024, i zgjedhur me 56.11% të votave, i mbështetur nga një koalicion i qendrës së majtë që përfshinte Partinë Demokratike (PD), Lëvizjen Pesë Yje (M5S), Verdi Sinistra dhe dy lista qytetare.
Gruaja në urgjencë dhe hetimet
Rasti nisi të premten, më 5 dhjetor, kur bashkëshortja e Missirolit u paraqit në urgjencën e Ravenës me dëmtime në krah, me një prognozë prej shtatë ditësh. Ajo deklaroi se ishte rrëzuar pasi ishte shtyrë fort. Gruaja, siç ka konfirmuar avokati i saj Giovanni Scudellari, nuk ka paraqitur zyrtarisht kallëzim penal.
Megjithatë, për shkak të procedurave të “Kodit të Kuq”, mjekët njoftuan policinë. Pas një ndërhyrjeje fillestare nga patrulla, gruaja u thirr në komisariat dhe u intervistua nga Skuadra Fluturuese. Më 16 dhjetor ajo dha dëshminë përfundimtare para hetuesve, duke përshkruar – sipas saj – një situatë familjare të karakterizuar nga fyerje dhe disa episode dhune, përfshirë edhe ngjarje të mëparshme që datojnë që nga viti 2012. Në dosje përfshihen edhe fotografi dhe disa video.
Reagimi i kryebashkiakut
Mattia Missiroli ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka ushtruar kurrë dhunë. Avokati i tij, Ermanno Cicognani, i ka cilësuar pretendimet si “të rënda dhe shpifëse”, duke theksuar se gjatë 16 viteve martesë dhe me dy fëmijë, klienti i tij nuk ka pasur sjellje të dhunshme. Sipas mbrojtjes, ndarja në proces përfshin aspekte që mund të çojnë në keqpërdorim të situatës.
Avokati ka shtuar se Missiroli, pasi të njihet plotësisht me aktet e hetimit, do të provojë pafajësinë e tij dhe nuk përjashton ndërmarrjen e veprimeve ligjore për mbrojtjen e reputacionit.
Top Channel
Burimi: top channel


