Rreth 180 mijë punëtorë në Maqedoninë e Veriut marrin paga mujore më të ulëta se 31.200 denarë, ndërsa paga minimale mbetet rreth 26.000 denarë. Këto shifra i bëri të ditura deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska, duke akuzuar Qeverinë e Hristijan Mickoskit për refuzimin e rritjes së pagës minimale në 600 euro.
„Nuk ka pagë minimale më të lartë, nuk ka masa, nuk ka ndihmë – ka borxhe dhe kamata të larta“, deklaroi Trençevska.
Ajo kritikoi edhe paralajmërimet për angazhimin e punëtorëve të huaj. Sipas saj, fillimisht Aleksandar Nikolloski foli për 50 mijë punëtorë, ndërsa Mickoski e rriti shifrën në mbi 100 mijë.
Trençevska theksoi se as ribalanci i ri i buxhetit nuk parasheh rritje të pagës minimale në 600 euro, masa të reja për qytetarët apo ndihmë për bujqit.
„Qytetarët mezi ia dalin të mbijetojnë. Shkojnë në punë, punojnë, por varfërohen gjithnjë e më shumë“, u shpreh ajo, duke paralajmëruar se barrën e borxheve dhe kamatave do ta paguajnë qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme.
Burimi: lajmpress.org



