1
Shkup, 23 janar – Jemi të fokusuar në atë që duhet të jemi si udhëheqje dhe si organizata komunale, e ajo është Kongresi i ardhshëm, ku do të prezantohet programi i ri, koncepti i ri dhe do të dëgjohet mendimi i delegatëve, si për gjërat pozitive ashtu edhe për ato negative. Mendoj se Kongresi do të kalojë në rendin më të mirë dhe për këtë po përgatitemi, tha në një intervistë për “Triling” Aleksandar Trajanovski, nënkryetar i LSDM-së.
I pyetur për deklaratat se Kongresi mund të dështojë, si dhe për qëndrimet e Shilegovit dhe Despotovskit që paralajmërojnë një përçarje të mundshme në parti, Trajanovski e përjashton një skenar të tillë.
– Në periudhën e kaluar kemi zhvilluar biseda dhe konsultime të shumta, të gjithë delegatët janë kontaktuar. Pohoj se nuk bëhet fjalë për ndonjë dështim apo sabotim të Kongresit. Të gjithë delegatët do të marrin pjesë, sepse aty është vendi ku duhet të debatohet. Do të jetë një kongres raportues për zgjedhjet lokale të kaluara, ku secili do të thotë fjalën e vet. Nëse ka pakënaqësi apo mospajtime, Kongresi është hapësira ku ato duhet të reflektohen dhe të shprehen.
Daljet publike të disa ish-bashkëpartiakëve tanë, si Shilegov dhe Despotovski, nuk do t’i komentoj, sepse për mua është e panevojshme të komentohen bashkëpartiakë që kërkojnë dorëheqjen e kësaj udhëheqjeje ose sulmojnë partinë me qëllimin – ngrihu ti që të ulem unë. Nuk e pranoj këtë mënyrë komunikimi, as sulmet përmes rrjeteve sociale apo daljet televizive për të sharë LSDM-në – tha ai.
I pyetur nëse është e vërtetë që janë distancuar nga disa ish-funksionarë të lartë si Igor Ivanovski, Gordan Georgiev dhe Kostadinov, Trajanovski tha se askush nuk është hequr dorë nga askush.
– Kryetari Filipçe ka biseduar me të gjithë dhe dora u është zgjatur të gjithëve. Është vendimi i tyre nëse e gjejnë veten në këtë koncept apo do të qëndrojnë anash. LSDM nuk ka hequr dorë nga askush. Por si parti nuk mund të tolerojmë sulme nga ish-funksionarë që kanë marrë gjithçka nga LSDM dhe t’i injorojmë ato. Duhet të mbrohemi dhe t’u përgjigjemi sulmeve të paargumentuara.
Do ta përmend zotin Jovan Despotovski. Ai doli në rrjete sociale duke sulmuar kryetarin Filipçe dhe udhëheqjen, duke pretenduar se po e shkatërrojnë sistematikisht partinë, gjë që është absolutisht e pavërtetë. Nëse dikush mendonte se pas një humbjeje të tillë në zgjedhjet parlamentare, ku ishim të gjithë pjesë, përfshirë edhe zotin Despotovski si funksionar, do të fitonim një numër të madh komunash, atëherë për mua ai është politikisht laik – përfundoi Trajanovski.
Burimi: zhurnal.mk



