Sistemi “Qytet i Sigurt” nuk është sistem ndëshkues, por ka për qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore, sepse jeta nuk ka çmim. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në prag të nisjes së funksionimit të sistemit që do të detektojë shkeljet në trafik përmes kamerave.
Në një paraqitje në MRT 1, Toshkovski tha se nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi një rregullore e re, me të cilën rritet pragu i tolerancës për drejtuesit e mjeteve.
“Gjatë periudhës së kaluar pati një numër të madh vërejtjesh, sepse në fazën fillestare nuk kishte tolerancë në kuadër të paralajmërimit të qytetarëve. Ne vendosëm tolerancë që ishte e vlefshme sipas legjislacionit ekzistues: 6 km/orë kur drejtoni mjet motorik deri në 100 km/orë, ndërsa mbi 100 km/orë – 8 km/orë. Rregullorja që është në kompetencë të Ministrisë së Energjetikës, në konsultim me ekspertë, profesorë dhe përfaqësues nga Ministria e Energjetikës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, u ndryshua dhe hyri në fuqi gjatë ditës së djeshme. Sipas saj, për shpejtësi deri në 50 km/orë mbetet si më parë toleranca prej 6 km/orë. Kjo do të thotë se nëse drejtoni mjet motorik aty ku ka shenjë kufizimi 30 km/orë, me 36 km/orë kamera nuk do t’ju regjistrojë për shkelje, por do t’ju regjistrojë nga 37 km/orë.
Nga 50 deri në 100 km/orë, toleranca ligjore sipas rregullores së re është 9 km/orë. Kjo do të thotë se nëse drejtoni mjet motorik aty ku lejohet deri në 50 km/orë, me 51 km/orë kamera do t’ju regjistrojë dhe do t’ju dërgojë njoftim, ndërsa do të ndëshkoheni nga sistemi nëse drejtoni mjetin me 60 km/orë. Aty ku kufizimi është 100 km/orë, ndërsa mjeti drejtohet mbi 101 km/orë, kamera do t’ju identifikojë me tolerancë prej 12 km/orë, që do të thotë se do të sanksionoheni nëse, për shembull, kufiri është 100 km/orë dhe ju drejtoni mjetin me 113 km/orë,” shpjegoi Toshkovski.
Ministri vlerëson se këto toleranca janë plotësisht të pranueshme me qëllim që sistemi të vihet në funksion dhe qytetarët të binden se qëllimi nuk është ndëshkimi, por ulja e numrit të aksidenteve, të të lënduarve dhe të jetëve të humbura.
Toshkovski paralajmëroi se drejtuesit e mjeteve do të marrin informacion edhe në rastet kur e kanë tejkaluar kufirin ligjor të shpejtësisë, por kanë mbetur brenda shpejtësisë së toleruar.
“Për të gjitha këto shkelje që bëhen brenda tolerancës, pra nëse ndalohet mbi 30 km/orë – nga 30 deri në 36 km/orë, nëse ndalohet mbi 50 km/orë – nga 50 deri në 59 km/orë, do të dërgojmë mesazh informues nga Ministria e Punëve të Brendshme për çdo qytetar që ka tejkaluar shpejtësinë. Me këtë do t’ua tërheqim vëmendjen qytetarëve se, edhe pse vozisin brenda tolerancës ligjore dhe nuk do të ketë gjobë apo shkelje, ata sërish e tejkalojnë shpejtësinë e përcaktuar me ligj. Nëse, mos e dhëntë Zoti, ndonjë qytetar drejton mjet motorik me 55 km/orë aty ku lejohet maksimumi 50 km/orë dhe lëndon një këmbësor me lëndime të rënda trupore, ai do të përgjigjet penalisht,” theksoi Toshkovski.
Nga nesër, më 1 shkurt, fillon funksionimi i sistemit “Qytet i Sigurt” në territorin e qyteteve Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në Korridoret 8 dhe 10. Kjo do të thotë se do të sanksionohen qytetarët që kanë kryer shkelje të detektuara nga kamerat e sistemit “Qytet i Sigurt”.
Në fazën e parë, sistemi do të detektojë katër lloje tipike të shkeljeve në komunikacion: parkim të parregullt, tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim në dritë të kuqe dhe drejtim të mjetit me afat të skaduar të vlefshmërisë së lejes së qarkullimit.
Burimi: alfax.mk


