Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin tek gratë, për zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të kësaj sëmundjeje.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi në një konferencë për mediet, u shpreh ditën e sotme se “kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë që diagnostikohet në mbarë botën si edhe në Shqipëri dhe sa i përket vdekshmërisë, është një nga faktorët kryesorë te gratë”.
“MSHMS me sloganin “çdo ditë vlen për jetën tënde”, ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin gjatë fushatës, por edhe edukimin e grave dhe vajzave për të kryer kontrollet periodike, apo depistimin nëpërmjet mamografive të lëvizshme apo stacionare”, tha ajo.
“Mamografia është një shërbim që ofrohet falas për të gjitha gratë. Ato mund ta marrin këtë shërbim në spitalet rajonale në të gjithë vendin, në poliklinikat pranë lagjeve, në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe në QSUNT”, vijoi Toçi.
Drejtoresha e ISHP-së, u shpreh se jo vetëm gjatë tetorit, por edhe gjatë gjithë vitit duhet të rritet ndërgjegjësimi i grave dhe i vajzave për të kuptuar rëndësinë që ka diagnoza e hershme e kancerit të gjirit.
Toçi u ndal edhe te shifrat e kancerit të gjirit në vendin tonë dhe incidencën për këtë sëmundje gjatë vitit 2024.
“Për vitin 2024, bazuar në regjistrin kombëtar të kancerit janë diagnostikuar 805 raste të reja me kancer të gjirit. Është një incidencë që gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka ardhur në rritje me 2.1% çdo vit. Nuk kemi rritje të rasteve me kancer të gjirit te moshat e reja, madje kemi një ulje të lehtë të incidencës tek moshat nën 50 vjeç”, tha Toçi.
Toçi u shpreh se “vërehet një rënie e lehtë e rasteve nga viti 2015 deri në 2024-ën, ndërsa shtrimet spitalore janë dyfishuar në 10-vjeçarin e fundit”.
Drejtuesja e ISHP-së e vlerësoi këtë fakt si një qasje më të lehtë të grave dhe vajzave me sistemin shëndetësor në vendin dhe zgjerim të ofrimit të shërbimeve.
“Në vitin 2024 kanë ndërruar jetë nga kanceri i gjirit 224 gra. Nëpërmjet depistimit me mamografitë lëvizëse në të gjithë vendin kryhen në vit rreth pesë mijë mamografi lëvizëse, ndërsa në total kryhen rreth 25 mijë depistime me mamografi”, theksoi Toçi.
Ajo shtoi se “kanceri i gjirit prek edhe meshkujt dhe janë vetëm 10 raste te burrat e moshës mbi 50 vjeç”.
“Depistimi ka për qëllim kapjen e një situate të dyshuar. Çdo vit nga depistimi me mamografi lëvizëse referohen si raste të dyshuara mbi 10 gra. Ndërsa, nga 25 mijë mamografi që kryhen në total në vit, mesatarisht kanë rezultuar me kancer të gjirit rreth 50 gra”, përfundoi Toçi.
Burimi: botasot.info


