tik tak t per presidentin en a rrezikon kosova krize te re institucionale dhe zgjedhjet e reja 69a296eef3b35

“Tik-tak-t” për presidentin/en: A rrezikon Kosova krizë të re institucionale dhe zgjedhjet e reja?

February 28, 2026
min lexim

Katër ditë kanë mbetur që nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit/es. Deri më tani nuk ka asnjë emër i përbashkët nga partitë politike parlamentare që do të mund ta ushtronte postin e presidentit.

Vjosa Osmani e cila ka ushtruar këtë post për 5 vjet, ka shprehur kandidaturën e saj për një mandat tjetër, por ajo nuk pranohet nga partitë opozitare të cilët duhen t’ia bëjnë kuorumin partisë fituese për seancë.

Partia më e madhe opozitare (PDK), thotë se Osmani ka pasur qasje të njëanshme dhe ka përfaqësuar vetëm një grup ose subjekt, prandaj ata nuk kanë votë për atë. Sipas tyre, PDK është e gatshme të nxjerrë edhe emra për këtë post.

“Qasja ka qenë me fol në standarde në parime pa emra të përveçëm, pra nuk është se është përmend dikush i përveçëm. Kemi thanë se i bën i nder vendit, dhe PDK e mbështet dikë që nuk e përfaqëson veç një parti politike, veç pozitën ose veç opozitën. Dikush që ka integritet edhe vendor edhe ndërkombëtar, dikush që ka kontribute dhe është intelektual. Mendoj që vendit nuk i bën nder dikush që ka pas qasje të njëanshme dje, dikush që e përfaqëson veç një grup ose subjekt. Në këtë nivel jemi tu fol në parime dhe standarde, por nëse është e nevojshme dhe e arsyeshme dhe kërkohet, padyshim që PDK do të nxjerrë edhe emra”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arian Tahiri.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ndarë pothuajse të njëjtin qëndrim, duke kërkuar marrëveshje politike për këtë post.

“Zgjedhja e presidentit kërkon konsensus politik. Osmani e ka pasur mbështetjen para 5 viteve nga LDK, me dakordimin e përgjithshëm politik se do ta bëjë një përfaqësim të unitetit por e dimë se ajo ka përfaqësuar interesin më shumë të LVV-së, dhe në rrethanat ku jemi ne nuk  ndjejmë asnjë detyrim që të votojmë… Nëse VV do me qu Kosovën në zgjedhje edhe një herë për karrigen e Vjosa Osmanit, ajo nuk është përgjegjësi e LDK-së, është përgjegjësi e VV-së”, ka thënë më parë, Sokol Havolli nga LDK.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet që ka shumicën në kuvend, nuk ka ndarë qëndrim sa i përket Vjosa Osmanit. Ata deklarojnë se për shkak se nuk kanë vota për këtë post, do të shmangin idenë për të propozuar një kandidat nga partia e tyre.

“Ajo mazhorancë që është prej 66 numrash në Kuvend, ne jemi bindur që nuk ka mundësi, përmes një emri që propozohet, një emër i njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t’i bërë 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës. Nuk po them se është absolut, sepse gjëra absolute në politikë nuk ka, por me përafërsi ky është konkludimi i mazhorancës”, ka thënë Glauk Konjufca, duke shtuar se shumica do që ta shmangë idenë që të propozojë një kandidat të vetin.

Analistët politikë kanë folur për gazetën “Bota sot”, rreth krizës së mundshme institucionale dhe mundësisë së zgjedhjeve të reja përsëri. Ata nuk përjashtojnë një skenar të tillë, gjersa  e konsiderojnë të dëmshëm për vendin.

Rreziku i zgjedhjeve të reja dhe kalkulimet politike

Analisti Faton Mehmeti, konsideron se ekziston rreziku për zgjedhje të reja nëse mungon konsesusi.

Sipas tij, nëse palët nuk arrijnë marrëveshje zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Po, rreziku ekziston realisht. Kushtetuta është e qartë: nëse pas tri tentativave nuk zgjidhet presidenti me shumicën e kërkuar (84 vota në dy raundet e para dhe 61 në të tretin), Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Pra, nëse mungon konsensusi, kriza nuk është vetëm politike është edhe kushtetuese. Kosova ka kaluar një situatë të ngjashme në vitin 2011, dhe precedentët tregojnë se tensioni rritet shpejt kur afatet ngushtohen. Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje, zgjedhjet janë të pashmangshme”, deklaron Mehmeti. 

Image

Analisti Faton Mehmeti

Por, sipas Mehmetit, përvoja politike në Kosovë tregon se marrëveshjet shpesh arrihen në minutën e fundit.

Ai shton se partitë nuk hyjnë lehtë në zgjedhje të reja pa kalkuluar koston politike dhe rrezikun elektoral.

 “Megjithatë, përvoja politike në Kosovë tregon se marrëveshjet shpesh arrihen në minutën e fundit. Askush nuk hyn lehtë në zgjedhje të reja pa kalkuluar koston politike dhe rrezikun elektoral. Në praktikë, presidenti në Kosovë zgjidhet me marrëveshje politike dhe jo me konsensus të gjerë shoqëror. Kjo e bën postin shpesh pjesë të negociatave për pushtet”, shton analisti.

 Kritika ndaj partive politike dhe dëmi i zgjedhjeve të reja

 Ndërsa, politologu Adnan Qaka, thotë se posti i presidentit po mbahet peng i pazareve politike ndërmjet subjekteve.

 Ai zvarritjen e procesit e sheh joserioze, gjersa pohon se këto vonesa dëshmojnë qartë se për një pjesë të subjekteve politike prioritet nuk është interesi kombëtar, por interesi personal e partiak.

 “Posti i Presidentit të shtetit të Kosova po mbahet peng i pazareve politike ndërmjet subjekteve politike, dhe zvarritja e procesit të zgjedhjes së Presidentit është tejet joserioze. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në një kohë kur ekzistojnë zhvillime shumë delikate gjeopolitike në skenën ndërkombëtare, ku shtetit të Kosovës i nevojiten institucione të konsoliduara dhe një lidership i fuqishëm e i vendosur për mbrojtjen e interesit kombëtar. Këto vonesa dëshmojnë qartë se për një pjesë të subjekteve politike prioritet nuk është interesi kombëtar, por interesi personal dhe partiak. Në këto rrethana të tensionuara gjeopolitike, Kosovës i duhet një lidership i fortë, unitet kombëtar dhe stabilitet politik. Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, vendi ka nevojë për një figurë unifikuese, të përgatitur intelektualisht, me integritet të lartë moral dhe kombëtar, një personalitet që nuk bën kompromis në çështjet që prekin interesin shtetëror dhe sovranitetin e vendit”, deklaron Qaka.

Image

Politologu Adnan Qaka

 Ekziston rreziku real që Kosova të hyjë një krizë të re institucionale dhe të shpërndahet parlamenti, thotë Qaka, gjersa shton një skenar i tillë është i dëmshëm për stabilitetin politik dhe institucional.

 “Deri më tani kanë mbetur vetëm katër ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, por ende nuk po shihet një konsensus i qartë për Vjosa Osmani apo për ndonjë emër tjetër për këtë post. Ka spekulime të ndryshme për kandidatura të mundshme, ndërsa një kandidat i vet ofruar është akademik Arsim Bajrami. Mbetet të shihet se si do të rrjedhin zhvillimet në vijim. Ekziston rreziku real që Kosova të hyjë në një krizë të re institucionale dhe të shpërndahet Parlamenti nëse nuk arrihet konsensusi për zgjedhjen e Presidentit. Një skenar i tillë do ta çonte vendin sërish në zgjedhje të parakohshme, gjë që do të ishte e dëmshme për stabilitetin politik dhe institucional dhe nuk do të ofronte një zgjidhje reale për sfidat me të cilat përballet shteti. Aktualisht, pretendentja kryesore për postin e Presidentit është Presidentja në detyrë, zonja Vjosa Osmani. Megjithatë, është e qartë se ekziston një kundërshtim i fuqishëm nga opozita për ta votuar atë”, thekson politologu.

 Raportimet për emra potencialë për president, Qaka, i sheh si dëshmi për kompleksitetin e kalkulimeve politike që zhvillohen në prapaskenë dhe për garën e brendshme për balancat e pushtetit.

 “Nga ana tjetër, Kryeministri Albin Kurti po demonstron një qasje të kalkuluar politikisht, duke eksploruar alternativa të mundshme për këtë post. Në diskursin publik janë përmendur edhe emra të lidhur me familjen legjendare të Adem Jashari, si përpjekje për të ofruar një figurë me simbolikë të lartë kombëtare. Kjo dëshmon për kompleksitetin e kalkulimeve politike që po zhvillohen në prapaskenë dhe për garën e brendshme për balancat e pushtetit. Sa i përket dimensionit ndërkombëtar, kolonel Dritan Demiraj ka deklaruar publikisht se, bazuar në informacione që pretendon se i ka marrë nga disa kongresmenë amerikanë, ekziston një kërkesë nga qarqe të caktuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës. Sipas tij, madje u është bërë e qartë partive opozitare që të mos guxojnë të mos e votojnë Presidenten aktuale, duke lënë të kuptohet se ekziston një qëndrim i prerë amerikan në favor të saj. Nëse një qëndrim i tillë do të përfaqësonte vërtet një politikë zyrtare të administratës amerikane, atëherë kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në kalkulimet politike të aktorëve vendorë dhe në qëndrimin e Kryeministrit Kurti”.

 “Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për qëndrime individuale të disa kongresmenëve apo për një pozicionim të qartë institucional të shtetit amerikan. Një tjetër element që përmendet në diskursin politik është mundësia e ekzistencës së mosbesimeve apo dyshimeve për marrëveshje të mundshme në prapaskenë ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Nëse do të ekzistonin prova konkrete për një bashkëpunim të tillë që do të cenonte balancat e brendshme politike, kjo padyshim do të ndikonte në qëndrimet e Kryeministrit Kurti. Por deri më tani, këto mbeten në nivel spekulimesh politike dhe nuk ka asnjë fakt publik të konfirmuar që do ta mbështeste një pretendim të tillë. Kosova ndodhet përballë një momenti vendimtar institucional dhe politik. Zgjedhja e Presidentit nuk duhet të reduktohet në kalkulime të ngushta partiake, por duhet të trajtohet si një proces me peshë strategjike për stabilitetin institucional, orientimin ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare të vendit. Në këto rrethana të ndjeshme gjeopolitike, vendi ka nevojë për përgjegjësi shtetërore, unitet politik dhe një figurë presidenciale që garanton integritet, përfaqësim dinjitoz dhe mbrojtje të palëkundur të interesit kombëtar”, përfundon Qaka.

 Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë Presidenten apo Presidentin e vendit më së largu deri më 04.03, pra jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osman. Mandati i saj përfundon më 4 prill 2026.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

aksident ne kashar furgoni perplaset me makinen nje i plagosur 69a296d4d9956
Lajmi i mëparshëm

Aksident në Kashar/ Furgoni përplaset me makinën, një i plagosur

Të fundit nga

Ministri izraelit i Mbrojtjes njofton sulm ndaj Iranit

Izraeli ka sulmuar Iranin, sipas ministrit të mbrojtjes. Mediat iraniane raportuan se kanë dëgjuar shpërthime në kryeqytetin Teheran. Shteti i Izraelit ka nisur një sulm parandalues ​​kundër Iranit për të eliminuar kërcënimet
ShkoLartë