“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, janë thirrje që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë të zhvilluar më 2 gusht.
Për këto thirrje është arrestuar një person dhe janë intervistuar disa tjerë, ndërsa MPB-ja ka theksuar se do të veprojë me tolerancë zero ndaj çdo thirrjeje ofenduese të bazuar në përkatësi kombëtare, etnike apo fetare, dhe do të sanksionojë ashpër çdo shkelje të rendit publik.
“Vetëm brohoritjet sportive dhe të ndershme mund të sjellin sukses dhe gëzim,” thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.
Këto thirrje raciste ishin bërë në prani të figurave të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.
Edhe pse thirrjet ishin bërë në prani të tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se nuk i kishte vënë re thirrjet e tyre, duke pretenduar se bëhej fjalë për “një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, ka thënë Mickoski.
Ai ka shtuar se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”. Prokuroria maaqedonase ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, ka shtuar ai.
Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve u dënuan nga partitë shqiptare në Maqedoni, por edhe nga Kosova.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja e Kosovës kërkoi që shteti maqedonas të veprojë dhe të ndëshkojë ata që nxisin urrejtje.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, ka shtuar Osmani.
Në anën tjetër, analistët shqiptarë në Maqedoni konsiderojnë se thirrje antishqiptare tashmë janë bërë kulturë, gjersa shtojnë se shqiptarët ua ndërtojnë shtetin RMV, ndërsa ata presin që përmes Ballkanit të hapur të bëhen serbë.
Ndikimi serb, “heshtja” e institucioneve dhe “rreziku” për rrugëtimin në BE
Analisti Xhelal Neziri, thotë se ndikimi serb ka arritur deri në atë shkallë sa që ua imponon maqedonasve etnikë dioptrinë serbe në raport me popujt tjerë.
Sipas tij, urrejtja ndaj shqiptarëve është e pabazë për maqedonasit dhe buron nga frika që kanë nxitur elitat nacionaliste serbe.
“ Thirrjet antishqiptare në stadiume janë tashmë një kulturë e sjelljes së turmave, e që është një trashëgimi nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia. Për fat të keq, kohëve të fundit ndikimi serb ka arritur deri në atë shkallë saqë ua imponon maqedonasve etnik dioptrinë serbe në raport me popujt tjerë. Në rastin konkret, Maqedonia e Veriut ndeshet me Romaninë në basketboll, asgjë s’ka të bëjë as me Shqipërinë, Kosovën apo shqiptarët në përgjithësi, por shahen dhe fyehen shqiptarët. Urrejtja ndaj shqiptarëve është e pabazë për maqedonasit dhe buron nga frika që kanë nxitur elitat nacionaliste serbe”, shprehet Neziri.

Sipas tij, po të vepronin institucionet nuk do të përsëriteshin këto incidente dhe se këto e pengojnë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj për në BE.
“ Institucionet përherë blejnë kohë dhe nuk veprojnë, derisa një skandal tjetër të mbulojë atë të fundit. Po të vepronin institucionet nuk do të përsëriteshin këto incidente. Gjithsesi se pengon në rrugëtimin euroatlantik. BE-ja nuk është vetëm udhëtim pa viza, treg pune apo burokraci, është vlerë që nënkupton kohesionin e diversiteteve, bashkëjetesën e popujve dhe respektimin e tjetrit”, shton analisti.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej 1.8 milion banorësh.
“Dashuria” e maqedonasve për Serbinë
Ndërsa, analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se thirrjet raciste tregojnë se bashkëkombasit e kryeministrit Mickoski, Apasievit janë serbë që duan “Srpska Banovinën”.
Sipas tij, maqedonasit e duan Serbinë më tepër se shtetin e tyre.
“Thirrjet raciste, shoviniste maqedonase në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë “Smrt za šiptari”(vdekje shqiptarëve) vijnë nga maqedonasit pro serbë. Kjo tregon se bashkëkombasit e kryeministrit Mickoskit, Apasievit janë serbë që duan “Srpska Banovinën”, s’e jetojnë në shtetin me emrin, Republika e Maqedonisë Veriore së bashku me shqiptarët e në anën tjetër mendërisht, psikikisht e shpirtrisht e duan Serbinë sesa RMV-në, më shumë e duan kombin serb sesa atë maqedonas. Edhe pse shqiptarët ua ndërtuan shtetin e Maqedonisë, por e duan Serbinë për shkak se s’janë as maqedonas, as bullgarë, as grekë, por mendërisht, përzemërsisht e shpirtrisht janë serbë, më shumë e duan kishën autoqefale serbe sesa atë maqedonase, ky shovinizëm maqedonas në Kumanovë tregon se RMV-në e llogarisin si territor të “Srpska Banovinës”. Keni vënë re sa dashuror janë ndaj Serbisë aq sa dhe nga intelektualët e akademikët maqedonas nuk del një fjalë e keqe kundër Serbisë, maqedonasit shtetin e RMV-së e japin për Serbinë e Millosheviqit dhe Vuçiqit. Po sikur, më 2001, Serbia të sulmonte Maqedoninë sikurse UÇK-ja që e rrezikoi, serbo-maqedonasit krahëhapur do ta pranonin Vuçiqin dhe maqedonasit e Mickoskit do protestonin që Serbia mos ua kthente prapë territoret maqedonasve?, ata e pranojnë me zemër e shpirt Serbinë, maqedonasit janë në gjendje që të mos ekzistojë RMV vetëm për shkak shqiptarëve, shkurt e qartë 75-80% e qytetarëve maqedonas janë serbë. Këndej i duan serbët, andaj për ndërtimin e shtetit hyjnë në Marrëveshje të Ohrit, Përzhinos e Prespës me politikanët shqiptarë për të hyrë në BE”, deklaron Mehazi.

Tutje, ai pyet pse maqedonasit nuk i duan shqiptarët, duke shtuar se kjo është për shkak se ata janë serbë e jo maqedonas.
“Shqiptarët e urrejtur maqedonasve ua ndërtuan shtetin e Maqedonisë, e maqedonasit filo-serbë mezi presin që RMV-ja me anë të Ballkanit të hapur të bëhet serbe. 100% jemi të sigurt se maqedonasit më shumë e duan Serbinë sesa malaziasit e Njegoshit që konsiderohen vëllezër me serbët. Vetë malaziasit s’duan të dëgjojnë për Serbinë. Pse prej popujve të ish-Jugosllavisë askush si do serbët, përveç maqedonasve, për shkak se janë serbë? Pse popujt rreth e përqark Serbisë njësoj si shqiptarët kanë mendime negative për Serbinë përveç maqedonasve? për shkak se janë serbë? Pse maqedonasit nuk i duan shqiptarët? për shkak se janë serbë e jo maqedonas të Lekës. Gjaku i maqedonasve kurrsesi nuk është ndryshe përveç serbe”, shton analisti.
Burimi: botasot.info


