Sot u përkujtua 78-vjetori i lindjes së ideologut dhe liderit të shquar politik Arbën Xhaferi. Me këtë rast, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, zhvilloi homazhe pranë varrit të të ndjerit dhe vendosi një kurorë me lule.
Pas homazheve, Thaçi vlerësoi lart kontributin dhe trashëgiminë politike të Arbën Xhaferit, duke theksuar se vizioni i tij mbetet udhërrëfyes për politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
“Rruga dhe baza që Arbën Xhaferi vendosi për politikën e shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe më gjerë, është rruga e vetme në të cilën duhet të ecim bashkërisht”, deklaroi Thaçi.
Arbën Xhaferi konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të mendimit politik shqiptar, i njohur për qasjen e tij intelektuale dhe për orientimin europerëndimor të politikës shqiptare në rajon.


