Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Egzona Tërdevci, ka deklaruar se ky subjekt politik ka gjasa reale ta përsërisë, madje edhe ta tejkalojë rezultatin e arritur në zgjedhjet e vitit 2021.
Sipas Tërdevcit, përkrahja e vazhdueshme e mërgatës dhe interesi i shtuar i saj për të votuar, qoftë nga Kosova apo jashtë vendit, janë indikatorë të qartë të një rezultati të fortë elektoral për LVV-në.
“LVV-ja do ta përsëris rezultatin e 2021-tës e ndoshta edhe do ta kapërcejë atë. Gjasat reale janë të ndodhin, sepse LVV-ja vazhdimisht ka pasur përkrahjen e mërgatës, e ardhja kaq masive e tyre dhe interesi për të votuar qysh këtu ose atje na jep përshtypjen se gjithsesi do ta kapërcejë rezultatin e 9 shkurtit, por i ka gjasat reale për ta përsëritur e ndoshta edhe për ta kapërcyer rezultatin e vitit 2021”, deklaroi ajo në emisionin “Info Nata”..
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, ajo theksoi se realiteti atje ka ndryshuar dhe se institucionet e Kosovës janë tashmë të pranishme dhe funksionale.
“Situata në veri nuk mund të ndryshojë. Kisha dashtë mos me i dëgjua ato deklarata të tilla sa i përket veriut. Është e turpshme dhe e sikletshme qysh nuk i pranojnë rezultatet në veri, megjithatë realiteti flet ndryshe. Ne sot në veri kemi nënstacione të Policisë, kemi një situatë ku institucionet e Kosovës respektohen”, deklaroi ajo.
Tërdevci theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e përkushtuar për forcimin e rendit, ligjit dhe funksionimit institucional në të gjithë territorin e Kosovës.
Burimi: botasot.info


