Sipas një raporti të New York Times, Nicolas Maduro duket se i ka marrë seriozisht kërcënimet e fundit të administratës Trump, pasi ai ka rritur masat e tij të sigurisë personale, nga frika e një sulmi ajror ose një operacioni të forcave speciale amerikane.
Sipas New York Times, ndërsa presidenti venezuelian vazhdon të tregohet i guximshëm në publik, ekziston një klimë ankthi e fortë brenda qeverisë së tij. Burime pranë presidencës thonë se Maduro ka urdhëruar masa të shtuara sigurie dhe po kërkon ndihmë nga jashtë për të kufizuar rrezikun e tradhtisë nga njerëz të afërt me të.
Presidenti 63-vjeçar thuhet se ndryshon shpesh vendndodhjen e tij për ta bërë më të vështirë gjurmimin e tij në rast të një sulmi. Ai gjithashtu përdor telefona celularë me parapagesë të pagjurmueshëm, të cilët i ndryshon shpesh, një praktikë që sipas të njëjtit informacion, ai e ka zbatuar gjithnjë e më sistematikisht që kur Shtetet e Bashkuara filluan të sulmonin anije luftarake në Karaibe.
Edhe pse Maduro mburret publikisht se gëzon besnikërinë dhe mbështetjen e aleatëve të tij dhe popullit venezuelian, shkrimi i NY Times vëren se kohët e fundit ai është bërë veçanërisht i kujdesshëm ndaj rrethit të tij të ngushtë dhe po i drejtohet ndihmës së jashtme, ndërsa presioni nga Shtetet e Bashkuara po intensifikohet.
Siç pohoi një burim që foli për New York Times, Maduro ka forcuar rolin e truprojave kubanezë që marrin pjesë në sigurinë e tij personale, ndërsa ka integruar më shumë oficerë kubanezë +të kundërzbulimit në radhët e forcave të armatosura venezueliane. Në të njëjtën kohë, ai ka ulur ndjeshëm numrin e paraqitjeve të planifikuara dhe transmetimeve televizive të drejtpërdrejta që kanë qenë karakteristike gjatë sundimit të tij 12-vjeçar dhe po zgjedh mesazhe më shpesh të regjistruara dhe paraqitje “spontane”.
Këto lëvizje janë në kontrast të fortë me imazhin publik të udhëheqësit të sigurt që Maduro po përpiqet të promovojë. Pavarësisht ndryshimeve në strategjinë e tij, presidenti venezuelian është siguruar që të duket i qetë dhe i relaksuar në daljet e tij publike, të cilat janë bërë më spontane që kur Shtetet e Bashkuara filluan operacionet ushtarake në Amerikën Latine.
Dalja e tij të hënën në një festival në Karakas për të festuar zgjedhjet lokale ishte e fundit, ku ai u shfaq duke kënduar dhe kërcyer me një pjesë muzikore që përfshinte fragmente nga fjalimet e tij. Kjo paraqitje i dha gjithashtu mundësinë t’u drejtohej drejtpërdrejt qytetarëve, duke i siguruar ata se u mbetet besnik, pas raportimeve se ai po shqyrtonte largimin nga vendi në këmbim të amnistisë së plotë për veten dhe familjen e tij.
Pavarësisht raportimeve në median ndërkombëtare se Donald Trump i kishte dhënë Maduros afat deri të premten e kaluar për t’u larguar nga vendi, burimet i thanë New York Post se bisedimet po vazhdojnë dhe janë përqendruar në një “marrëveshje të mundshme mërgimi” për udhëheqësin venezuelian në Katar.
Top Channel
Burimi: top channel

