Brenda pesë viteve të ardhshme, tekstet shkollore në Shqipëri pritet të pësojnë ndryshime të rëndësishme, si pjesë e përafrimit të sistemit arsimor me kriteret e anëtarësimit në Bashkimi Europian.
Programet e reja mësimore janë miratuar nga Ministria e Arsimit dhe do të shërbejnë si udhërrëfyes për hartuesit e teksteve dhe për mësuesit në procesin e përditësimit të kurrikulave, sipas niveleve të ndryshme të arsimit parauniversitar. Ndryshimet synojnë që përmbajtja e librave shkollorë të mos jetë thjesht një përshtatje formale me modele të vendeve europiane, por të reflektojë realitetin, nevojat dhe kontekstin e nxënësve shqiptarë.
Dokumentet orientuese theksojnë përfshirjen më të gjerë të teknologjisë në procesin mësimor, duke nxitur përdorimin e internetit dhe mjeteve digjitale si pjesë e të nxënit, si dhe shfrytëzimin e inteligjencës artificiale si mjet mbështetës për zgjerimin e njohurive. Edhe në lëndën e gjuhës shqipe parashikohet një qasje më bashkëkohore, ku teknologjia do të shërbejë për të përmirësuar cilësinë e të nxënit, për të rritur motivimin e nxënësve dhe për të zgjeruar burimet përtej tekstit tradicional.
Programi i përditësuar i gjuhës shqipe nuk do të fokusohet vetëm në korrektësinë gramatikore, por edhe në zhvillimin e aftësive për përdorimin e gjuhës në situata të ndryshme komunikimi, duke e trajtuar atë si një element thelbësor të identitetit dhe kulturës. Reforma kurrikulare synon gjithashtu forcimin e qasjes socio-emocionale në mësimdhënie, duke i dhënë më shumë hapësirë zhvillimit të empatisë, ndërgjegjësimit qytetar dhe ndërtimit të një identiteti të përgjegjshëm te nxënësit.
Përmes këtyre ndryshimeve, autoritetet synojnë që tekstet shkollore të jenë më funksionale, më të lidhura me realitetin dhe më të përshtatura me sfidat e kohës, në kuadër të procesit të integrimit europian.
Burimi: botasot.info


