Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga mëngjesi i ditës së nesërme, bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Sipas këtij paralajmërimi, erë e fortë 11–14 m/s pritet të mbretërojë në zonat kodrinoro-malore, kurse erë mesatarisht e fortë, 8–11 m/s, në zonat më të ulëta.
“Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026”, tha Komuna në njoftim.
Pa krijuar panik, Kryeqyteti ka kërkuar nga qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel.
Kërkohet që qytetarët të sigurojnë ose largojnë objektet e lehta nga ballkonet, oborret apo çatitë (vazo, reklama, panele të përkohshme).
Po ashtu kërkohet të tregohet kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
Gjithashtu, Komuna kërkon nga qytetarët që të shmangin qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
Ndërkaq, drejtuesve të automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, u këshillohet të lëvizin me kujdes të shtuar.
“Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente. Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 0800 122 44 ose 0800 122 33”, tha Komuna në njoftim.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit u tha se do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.
Burimi: botasot.info

