Autoritetet lokale të emergjencave në komunën e Drenasit janë duke verifikuar dëmet nga vërshimet dhe brenda mundësive po i ndihmojnë me pako humanitare familjet e dëmtuara. Deri më tash janë paraqitur 247 kërkesa për vlerësim të dëmeve.
Brenda më pak se një ore vërshimet ua dëmtuan gjithçka njërës prej 131 familjeve të përmbytura nga vërshimet, familjes Xhekaj e cila mbeti vetëm me kulmin mbi kokë, ndërsa të gjitha kushtet për jetës duhet nga e para të rindërtohen.
“Vërshimi u kanë në përmasa aq të mëdha me një shpejtësi të madhe brenda ore, më pak se ora është kanë niveli i ujit më shumë se një metër brena gjë që e kemi pasur të pamundshme me shpëtuar diçka”, tha për RTK, Muhamet Xhekaj, banor i Drenasit
“Jemi kanë me një ekonomi mesatare tash po e shihni që gjithçka është shkatërruar. Për më mujt me u kthye na nevojiten po aq vjet sa kena shpenzuar deri këtu”, tha ai.
“Kush më shumë e kush më pak pësuan nga vërshimet, megjithatë mbështetja e institucioneve është shpresa” thotë një kryefamiljar i një familje tjetër të përmbytur nga vërshimet
“Dëmet janë nga kati i parë që ka qenë komplet në ujë, tjerat çka ka pasë ushqim tjerat i ka bartur komplet edhe presim prej socialit që të marrin masa ta këqyrin parasysh”, tha Emin Morina, banor i Drenasit.
Zyrtarë komunal të Drenasit janë në terren për të evidentuara dëmet nga pasoja e vërshimeve me shpresë që nga bashkëveprimi i pushtetit lokal dhe atij qendror do t’i zbutin sadopak dëmet e vërshimeve.
“Nga kërkesa që i kemi deri tani nga qytetarët kemi 247 kërkesa për vlerësim të dëmeve prej tyre janë 131 kërkesa për ekonomi familjare, kemi 51 kërkesa në biznese, në bujqësi kemi 39 kërkesa dhe i kemi 18 kërkesa për vetura të cilat iu kanë ngecë nëpër ujë”, tha për RTK, Nexhmedin Gruda, drejtor i Emergjencave në Drenas.
Zyrtarë në Drenas thonë se problemet infrastrukturore janë duke u riparuar, ndërsa presin që mes dëmeve dhe dhimbjes, shpresa mbetet që arsyeja dhe vullneti të shnërrohet në veprim për tu dalë në ndihmë familjeve të prekura nga vërshimet në Drenas dhe komuna tjera të vendit, ndërsa pasojat vërshimeve të zbuten dhe jeta të rifillojë me dinjitet.
Burimi: botasot.info


