Humbja e artistes Rinesa Qeriqi, e cila ndërroi jetë pas një beteje me një sëmundje të rëndë, ka lënë të pikëlluar komunitetin artistik dhe publikun. Mes reagimeve të shumta për ndarjen e saj të parakohshme nga jeta, ka spikatur edhe ai i reperes Tayna, me të cilën Rinesa kishte bashkëpunuar në këngën “Nata”, pjesë e albumit “Genesis”.
Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, Tayna ka ndarë emocionet dhe dhimbjen për humbjen e artistes, duke kujtuar talentin e saj të veçantë dhe mënyrën se si e kishte parë gjithmonë krijimtarinë e saj.
Reperja ka treguar se Rinesën e njihte prej kohësh si artiste dhe se muzika, origjinaliteti dhe mënyra e saj e të shprehurit e kishin impresionuar vazhdimisht. Kur kishte menduar të bashkëpunonte me emra të rinj të skenës muzikore, Rinesa kishte qenë ndër artistet e para që i kishin ardhur në mendje.
Tayna ka kujtuar edhe momentin kur Rinesa i kishte dërguar disa këngë të saj për t’i dëgjuar dhe për të zgjedhur materialin që mund t’u përshtatej. Sipas reperes, muzika e saj e kishte mahnitur, ndërsa sinqeriteti dhe përkushtimi që reflektonte në krijimtari e kishin bërë edhe më të veçantë në sytë e saj.
Duke folur për artisten e ndjerë, Tayna e ka përshkruar atë si një krijuese vizionare, me një mënyrë të menduari dhe të bëri muzike që qëndronte përpara kohës së saj. Ajo e ka cilësuar Rinesën si “një botë më vete”, duke vënë në pah individualitetin dhe identitetin e saj artistik.
Në rrëfimin e saj, reperja ka zbuluar gjithashtu se ditët e fundit e kishte menduar shpesh Rinesën dhe ishte ndier e shqetësuar për gjendjen e saj shëndetësore. Megjithatë, lajmi për vdekjen e saj e kishte tronditur thellë, duke e bërë të vështirë përballjen me realitetin e humbjes.
Kujtimi i Taynës sjell në vëmendje jo vetëm bashkëpunimin mes dy artisteve, por edhe vlerësimin për një talent që la gjurmë përmes muzikës dhe mënyrës së tij unike të të shprehurit.
Burimi: botasot.info


