Quentin Tarantino ka konfirmuar se e ka përfunduar skenarin për filmin e tij të dhjetë dhe të fundit, por gjithashtu ka njoftuar se po e shtyn fillimin e prodhimit.
Regjisori i njohur shpjegoi se dëshiron të “jetojë paksa” përpara se t’i përkushtohet procesit intensiv të realizimit të një projekti të ri.
Tarantino e bëri të ditur vendimin e tij gjatë një aktiviteti promovues për librin e tij të ri në Los Anxhelos, raporton KosovaPress.
Me atë rast, ai shpjegoi arsyet pse ka vendosur të marrë një pushim nga karriera e tij.
“Kam punuar për këtë skenar për një kohë të gjatë. Është përfunduar. Është gati. Por e dini çfarë? Vitin e ardhshëm mbush 63-vjeç. Djali im është ende i vogël. Dua të kaloj pak kohë thjesht duke qenë baba dhe bashkëshort. Dua të jetoj paksa para se të kthehem sërish në ‘minierat e kripës’ për dy vjet”, tha Tarantino.
Që nga nëntori 2018, Tarantino është i martuar me këngëtaren, aktoren dhe modelen izraelite Daniella Pick, me të cilën u njoh në vitin 2009 gjatë një vizite në Izrael. Çifti ka djalin Leo (6) dhe vajzën Adriana (4).
Për momentin, nuk ka informacione lidhur me një afat të ri për fillimin e prodhimit. Tarantino gjithashtu nuk e zbuloi titullin e filmit apo detaje rreth tij.
Burimi: botasot.info


