Florian Nesimi / Gazeta Lajm & Lajm TV
Më 27 gusht 2019 Talat Xhaferi ka nënshkruar dokumentin ku Ligjin për provimin e jurisprudencës e shpall si të pranueshëm, edhe pse aty nuk ka qenë e përfshirë e drejta që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Në momentin e nënshkrimit të këtij dokumenti nga Talat Xhaferi, Ligji për përdorimin e gjuhëve veç më ka qenë në fuqi dhe dispozitat e gjuhës shqipe është dashur patjetër të përfshihen në ligjin e jurisprudencës. Talat Xhaferi si kryetar i Kuvendit e ka pasur për obligim që të kërkojë harmonizimin e këtij ligji me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Por duket se çështja e gjuhës shqipe asokohe nuk i ka interesuar fare.
Akoma më dëshpëruese është pika 2 e këtij dokumenti ku thuhet se ky ligj i dorëzohet Komisionit për marrëdheniet ndërmjet komuniteteve, që dëshmon se ky ligj është votuar edhe me shumicën e Badenterit. Deputetët shqiptarë të asaj përbërje kanë bërë gabimin e dyfishtë. Gjatë votimit me Badenter, ata kanë pasur obligim kombëtar të kërkonin që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe. Por ata e votuan atë ligj dhe sot qindra studentë shqiptarë po vuajnë pasojat e atij ligji.
Sikur Talat Xhaferi dhe deputetët tjerë në vitin 2019 të kishin vepruar siç duhej, sot nuk do t’i kishim këto dilema juridike dhe studentët nuk do të kishin nevojë për protesta.
Burimi: alfax.mk



