Tajlanda ka njoftuar se po pezullon zbatimin e marrëveshjes së paqes me Kamboxhian fqinje për shkak të një incidenti në zonën kufitare të kontestuar, vetëm dy javë pasi marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit Donald Trump.
Sipas një zëdhënësi të qeverisë tajlandeze, vendimi u mor pasi disa ushtarë u plagosën nga shpërthimi i një mine tokësore në provincën Sisaket, pranë kufirit me Kamboxhian. Një prej tyre humbi këmbën, raportoi Bangkok Post.
Nga ana e saj, Kamboxhia deklaroi se mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes, e cila synon t’i japë fund përplasjeve të përgjakshme kufitare që në korrik të këtij viti lanë më shumë se 40 të vdekur dhe detyruan rreth 300 mijë persona të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Marrëveshja, e firmosur në tetor gjatë një ceremonie në Malajzi në prani të ish-presidentit Trump, u quajt nga qeveria tajlandeze “Deklarata e përbashkët e kryeministrave të Tajlandës dhe Kamboxhias mbi rezultatet e takimit të tyre në Kuala Lumpur”. Megjithatë, Tajlanda ka refuzuar ta quajë atë “marrëveshje paqeje”.
Kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul, në një konferencë për shtyp të hënën, tha se mbështet vendimin e shefave të ushtrisë për pezullimin e marrëveshjes, duke theksuar se “kërcënimi ndaj sigurisë nuk është zvogëluar realisht”. Ai njoftoi gjithashtu se të martën do të vizitojë ushtarët e plagosur.
Sipas marrëveshjes së tetorit, të dyja palët ranë dakord të tërheqin armatimet e rënda nga rajoni i kontestuar dhe të krijojnë një ekip të përkohshëm vëzhguesish për monitorimin e zonës. Hapi i ardhshëm i parashikuar ishte lirimi i 18 ushtarëve kamboxhianë të mbajtur në Tajlandë.
Kufiri mes Tajlandës dhe Kamboxhias është burim tensioni prej më shumë se një shekulli, që nga përcaktimi i tij pas periudhës së pushtimit francez të Kamboxhias.
Burimi: botasot.info


