Regjisori i njohur hollivudian Taika Waititi ka festuar 50-vjetorin e lindjes në një festë madhështore në Ibiza, ku të pranishëm ishin miq të ngushtë, familjarë dhe personalitete të njohura të botës së artit e muzikës.
Në një postim të gjatë në Instagram, fituesi i Oscar-it ka ndarë disa fotografi nga festa duke falënderuar të gjithë ata që morën pjesë dhe në veçanti bashkëshorten e tij, këngëtaren shqiptare Rita Ora, e cila sipas tij ishte “regjisorja e vërtetë” e surprizës.
“Po, është e vërtetë – heroi, mentori dhe figura juaj hyjnore ka mbushur më në fund 50 vjeç. Jam mirënjohës që isha i rrethuar nga një grup kaq i mrekullueshëm njerëzish, të cilët më bënë të ndihem i veçantë duke ardhur në ditëlindjen time në Ibiza. Një falënderim i madh për Vas J Morgan dhe Michael që u morën me organizimin – nën mbikëqyrjen e lideres supreme të jetës sime dhe gruas absolute të festave, gruas sime, Rita Ora. Ti vërtet e tejkalove veten këtë herë, e dashur”, shkroi ai.
Ai gjithashtu nuk i kurseu komplimentet për Ritën, duke e cilësuar si më të shkëlqyerën e mbrëmjes: “Sigurisht që i zbehe të gjithë me flokët, fytyrën, veshjen dhe sharmin e zakonshëm plot shkëlqim”.
Festa e organizuar në një vilë luksoze përfshinte performanca live, muzikë nga DJ të njohur dhe një surprizë të veçantë nga kushërinjtë e tij të cilët i bënë një haka tradicionale në nder të tij.
“Më bënë dhurata, pije dhe mbi të gjitha më mbushën me DASHURI. Ndihesha i lumtur dhe i rrethuar nga njerëz që dua. Të 50-tat ndihen kaq mirë – ndihem i dashur, i lumtur, i ri… dhe i pashëm. Edhe pse gjuri më dhemb”, tha ai me humor.
Në fund, regjisori paralajmëroi se festa nuk do të ndalet me kaq: “Në stil tipik të një Luani, do të festoj deri në fund të vitit, ndaj nëse e keni ditëlindjen nga tani deri në dhjetor – bëhuni gati të më lini rrugë”.
Taika Waititi dhe Rita Ora janë një nga çiftet më të komentuar në skenën ndërkombëtare. Ata kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në vitin 2022 dhe shpesh ndajnë me fansat momente të përbashkëta plot humor e dashuri.
Burimi: botasot.info


