Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se pas vendimit të Gjykatës Supreme, nga e mërkura hyn në fuqi rregullorja për rregullimin e parkingjeve në kryeqytet dhe me këtë edh aktivizimi i gjobave dhe masave ndëshkuese nga “Prishtina Parking”.
Sveçla, në një postim në Facebook, thotë se aktivizimi i gjobave dhe masave ndëshkuese nga “Prishtina Parking”, pa plotësim/ ndryshim të Rregullorës nga Kuvendi Komunal, është i jashtëligjshëm.
“Që nga muaji maj, kur Gjykata Supreme ka rrëzuar disa dispozita të Rregullorës, ekzekutivi i Prishtinës ka pasur kohë të mjaftueshme që ta sjellë në Kuvend ndryshimin e saj. Por nuk e ka bërë.
Çdo gjobë e shqiptuar në këtë periudhë është e kontestueshme dhe cenon drejtpërdrejt parimin e legalitetit. Përgjegjësia bie mbi ekzekutivin që po vepron pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës më të lartë në vend”, shkruan Sveçla në Facebook.
Burimi: botasot.info


