Disa rajone të Ukrainës u përballën me ndërprerje të energjisë elektrike të martën, në kushte të motit të ftohtë dimëror, pasi Rusia ndërmori sulmin e saj të fundit vdekjeprurës në shkallë të gjerë me dronë dhe raketa, thanë autoritetet.
Polonia fqinje ngriti avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve, njoftoi ushtria e këtij vendi në një postim në platformën X, shkruan The Guardian, transmeton KosovaPress.
Ministria e Energjisë e Ukrainës shkroi në Telegram: “Rusia edhe një herë po sulmon infrastrukturën tonë energjetike. Si pasojë, janë vendosur ndërprerje emergjente të energjisë në disa rajone të Ukrainës”. Operatori i energjisë elektrike i Ukrainës, Ukrenergo, bëri të ditur se në disa rajone shpërthyen zjarre si pasojë e “sulmit masiv me raketa dhe dronë”, ndërkohë që temperaturat ranë drejt pikës së ngrirjes në pjesën më të madhe të vendit.
Sipas autoriteteve lokale, një person u vra në rajonin perëndimor të Khmelnytskyit dhe një tjetër në Kiev. Disa persona, përfshirë fëmijë, u plagosën në disa rajone të vendit.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj qytetit portual jugor të Ukrainës, Odesa, gjatë ditëve të fundit, në atë që autoritetet ukrainase, sipas The Guardian, e përshkruajnë si përpjekje për të shkatërruar plotësisht logjistikën detare.
Sulmet e reja shkaktuan zjarre, por nuk pati të lënduar në qytetin e Detit të Zi, thanë shërbimet e emergjencës të martën.
Sulmet ruse në rajonet e Detit të Zi janë shtuar, duke goditur ura dhe porte, si dhe duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen për mijëra njerëz në mes të dimrit.
Sulmet e fundit erdhën pas negociatave të mbajtura gjatë fundjavës në Miami nga Shtetet e Bashkuara me delegacione ruse dhe ukrainase, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës që nisi kur Moska ndërmori pushtimin e plotë të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.
“Po vërehet përparim i ngadalshëm”, citohet të ketë thënë zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, nga mediat shtetërore, pasi Rusia dhe Ukraina dërguan negociatorë në qytetin e Floridës për bisedime të ndara me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Witkoff i cilësoi diskutimet me të dyja palët si “konstruktive”, por nuk pati shenja të ndonjë përparimi vendimtar.
Burimi: botasot.info


