Turqia njoftoi sot vendosjen nga NATO të nje sistemi të ri të mbrojtjes kundërajrore “Patriot” në bazën ushtarake të Incirlikut, në jug të vendit, ku janë të dislokuara edhe forca amerikane. Vendimi vjen pas interceptimit në fillim të marsit të tre raketave balistike të lëshuara drejt territorit turk nga Irani.
“Një sistem i ri ‘Patriot’, i komanduar nga Komanda Ajrore Aleate në Ramstein (Gjermani), është në proces vendosjeje si shtesë e sistemit ‘Patriot’ spanjoll tashmë në funksion”, bëri të ditur Ministria turke e Mbrojtjes në një deklaratë.
Sistemi i ri, i tipit “PAC-3”, konsiderohet më i avancuar se versioni “PAC-2” që ishte i vendosur më parë në Incirlik dhe është projektuar për të neutralizuar raketa balistike taktike.
Ankaraja kishte njoftuar gjithashtu javën e kaluar vendosjen e një sistemi “Patriot” në bazën ajrore të Kurecikut, në lindje të vendit, rreth 250 kilometra larg Incirlikut.
Ky objekt strategjik është i pajisur me një radar paralajmërimi të hershëm të NATO-s, i aftë të zbulojë lëshimet e raketave nga Irani. Në këtë bazë, në provincën Malatya, janë të stacionuara edhe trupa amerikane.
“Të gjitha masat e nevojshme po merren për të përballuar kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare”, theksoi Ministria turke e Mbrojtjes.
Turqia bëri të ditur të shtunën se i ka paraqitur Iranit prova teknike për lëshimin e raketave drejt territorit të saj, pasi Teherani kishte mohuar çdo përgjegjësi. Presidenti turk Recep Tayip Erdogan deklaroi se nuk do të lejojë që vendi të tërhiqet nga provokimet.
“Prioriteti ynë kryesor është të parandalojmë që vendi ynë të përfshihet në këtë zjarr”, tha ai, duke iu referuar luftës në Lindjen e Mesme, e cila ka hyrë në ditën e 19-të.
Baza ajrore e Incirlikut, pranë qytetit Adana, përdoret nga disa vende, përfshirë SHBA-në, Spanjën, Poloninë dhe Katarin, në kuadër të NATO-s dhe marrëveshjeve dypalëshe.
Burimi: botasot.info


