Izraeli njoftoi të shtunën se ka vrarë një komandant të lartë të Hamasit në një sulm ndaj një automjeti brenda qytetit të Gazës.
Sipas ushtrisë izraelite, është goditur një “terrorist kyç i Hamasit”.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Basal, tha se në sulm humbën jetën katër persona, ndërsa disa kalimtarë u plagosën. Burime raportojnë se sulmi mund të ketë pasur si target Raed Saad, një komandant i lartë i brigadave të armatosura të Hamasit, Qassam Brigades.
Saad konsiderohet një nga komandantët më të njohur të Qassam, duke udhëhequr disa brigada gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj komuniteteve izraelite lindore të qytetit të Gazës. Izraeli ka tentuar ta vrasë atë në disa raste gjatë dy dekadave të fundit, përfshirë një operacion të befasishëm në mars 2024, ku ai arriti të shpëtonte pak çaste para sulmit.
Sulmi i së shtunës ndodhi në anën palestineze të ashtuquajturës Linjë e Verdhe, e cila ndan Gazën që nga armëpushimi i pasigurt i udhëhequr nga SHBA më 10 tetor. Forcat izraelite kontrollojnë pjesën lindore të linjës, që përfshin pak më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës.
Ndërkohë, fokusi diplomatik po zhvendoset drejt fazës tjetër të planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump, që parashikon çarmatimin e Hamasit dhe qeverisje teknokratike të përkohshme në Gaza. Plani synon rikthimin e Autoritetit Palestinez dhe tërheqjen e forcave izraelite, duke krijuar kushtet për vetëvendosje dhe shtetësi palestineze.
Shumë pjesë të planit janë të kontestuara në Izrael, ku kryeministri Benjamin Netanyahu ka refuzuar vazhdimisht krijimin e një shteti palestinez. Trump do të takohet me Netanyahun më 29 dhjetor për të diskutuar këtë plan.
Top Channel
Burimi: top channel


