Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Selanikut në orët e para të mëngjesit të së enjtes, më 25 dhjetor, pikërisht ditën e Krishtlindjes. Objektivi i sulmit ishte një degë banke në zonën e Evosmit, ku një mjet shpërthyes i vendosur pranë godinës ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe panik në mesin e banorëve lokalë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 në mëngjes, pranë një dege banke në kryqëzimin e rrugëve Karoli dhe Dimitriu me rrugën Salaminos. Sipas të dhënave paraprake, mjeti shpërthyes ishte vendosur jo drejtpërdrejt te bankomati, por në një distancë të caktuar nga hyrja e bankës, duke përjashtuar pistën e një sulmi për grabitje.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë xhamat e godinës u thyen, brendësia e saj pësoi dëme serioze, ndërsa të paktën shtatë automjete të parkuara në afërsi janë dëmtuar rëndë. Gjithashtu, dritare dhe fasada banesash dhe dyqanesh përreth janë dëmtuar nga fuqia e valës shpërthyese.
Autoritetet greke nuk kishin marrë asnjë paralajmërim për ngjarjen, ndërsa mjeti shpërthyes u ndie në një rreze të gjerë. Një njësi e specializuar për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese (TEEM) mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet për të përcaktuar llojin e lëndës shpërthyese dhe mënyrën e instalimit të saj.
Departamenti i Luftës kundër Krimit të Organizuar ka marrë në dorë dosjen, ndërsa në terren kanë zbarkuar edhe agjentë të Antiterrorit, të cilët po analizojnë pamjet filmike të kamerave të sigurisë të zonës për të identifikuar personat që mund të kenë vendosur mjetin.
Burime nga portali grek voria.gr raportojnë se karakteristikat e pajisjes dhe mënyra e vendosjes së saj çojnë në përfundimin se kemi të bëjmë me një akt të organizuar në mënyrë profesionale, me objektiv të mirëpërcaktuar.
Një pistë që po hetohet është lidhja e kësaj ngjarjeje me një shpërthim të mëparshëm që ndodhi në maj të këtij viti në një tjetër degë të së njëjtës bankë në qendër të Selanikut, ku humbi jetën një grua 38-vjeçare që besohet se kishte vendosur pajisjen shpërthyese.
Deri më tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të identifikuar autorët dhe motivet e kësaj ngjarjeje tronditëse.
Burimi: botasot.info


