Një studim i ri nga Universiteti i Teksasit në Austin ka nxjerrë një përfundim paradoksal: gratë që simulojnë orgazma gjatë marrëdhënieve seksuale mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë orgazma të vërteta.
Ky zbulim sfidon perceptimin tradicional se shtirja e një kulminacioni seksual është thjesht një mënyrë për të përfunduar një akt të pakënaqshëm.
Studiuesit anketuan 998 gra të moshës 18 deri në 29 vjeç, duke analizuar frekuencën e orgazmës dhe arsyet pse ato zgjidhnin ta simulojnë atë. Ndër të anketuarat, 25% thanë se gjithmonë përjetojnë orgazmë, ndërsa 30% deklaruan se nuk e kanë përjetuar asnjëherë.
Ajo që u vu re ishte fakti se gratë që simulojnë orgazma për t’u ndjerë më mirë vetë, jo vetëm për të kënaqur partnerin apo për t’iu përshtatur pritshmërive sociale, kishin më shumë gjasa të përjetonin orgazma të vërteta.
“Duke u shtirur si gjatë një orgazme, për shembull duke marrë frymë më thellë, duke lëshuar zëra karakteristikë dhe duke tensionuar muskujt, trupi dhe mendja mund të futen në një gjendje më të lartë eksitimi seksual, duke e shtyrë gruan drejt një orgazme të natyrshme,” shpjeguan studiuesit.
Ekspertja e seksologjisë Tracey Cox shton se ka dy mënyra të të menduarit mbi këtë çështje. “Ka nga ata që besojnë se shtirja e orgazmës është gjithmonë negative, sepse partneri nuk mëson kurrë çfarë funksionon me të vërtetë. Por ekziston edhe teoria ‘shtiru derisa ta arrish’, e cila sugjeron se kjo sjellje mund të jetë mënyrë për të nxitur orgazmën reale.”
Studiuesit pranojnë se studimi ka kufizime, përfshirë edhe numrin e kufizuar të pyetjeve dhe vetë-deklarimin subjektiv të pjesëmarrëseve. Megjithatë, ata thonë se rezultatet janë “të vogla, por domethënëse”, dhe hapin një dritare të re për të kuptuar më mirë lidhjen mes psikologjisë dhe përvojës seksuale.
Burimi: botasot.info


