Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, sot realizoi takim pune me znj. Tatjana Macura, ministre pa resor e ngarkuar për barazi gjinore, parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fuqizimin ekonomik e politik të grave në Qeverinë e Republikës së Serbisë.
Në takim u shpreh përcaktimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushat që i bashkojnë në drejtim të barazisë gjinore, mbrojtjes së grave nga dhuna dhe avancimit të pjesëmarrjes ekonomike dhe politike të grave, si dhe forcimit të dialogut institucional për këto çështje.
Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e integrimit të perspektivës gjinore në politikat që kanë të bëjnë me bashkësitë, duke pasur parasysh nevojën për qasje të barabartë në të drejta, shërbime dhe mundësi për të gjithë qytetarët, përfshirë gratë nga mjedise të ndryshme etnike dhe sociale. Vëmendje e veçantë iu kushtua fuqizimit ekonomik të grave si parakusht për përfshirje më të madhe shoqërore dhe ulje të cenueshmërisë.
Në këtë drejtim u shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, komunikimit në nivel ekspertësh ndërmjet institucioneve kompetente dhe inicimit të aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të iniciativave rajonale.
Takimi u vlerësua si konstruktiv, me gatishmëri të shprehur për komunikim të rregullt dhe hapa konkret në drejtim të forcimit të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve në fushat me interes të përbashkët.


