Arkitektura e stacioneve të trenit dhe mënyra se si janë ndërtuar me gurë, duket mjaft e veçantë. Ndërkohë, muret e objekteve vazhdojnë të qëndrojnë stabile, pavarësisht faktit që nuk mbrohen nga moti, qoftë edhe me një çati të thjeshtë. Asnjë nga institucionet nuk ka bërë hulumtim të detajuar për vitin e ndërtimit dhe për mënyrën e të punuarit edhe pse disa prej tyre janë pjesë e trashëgimisë kulturore.
Dikur ishte stacioni qendror për regjionin e Ujmirit por sot ka mbet edhe pa çati. Pranë kësaj ndërtese pak udhëtarë edhe sot e presin trenin, madje vazhdojnë që ta quajnë si stacion i trenit.
“Është e mjerueshme, njerëzit presin jasht në borë edhe në shi sepse stacioni nuk e ka një kulm. Ka pas staf, janë ble edhe biletat aty por tash prej pas luftës nuk po ekziston kurgju aty”, tha Sokol Krasniqi, banor i Ujmirit.
Një stacion tjetër dera e të cilit është e mbyllur tash e sa vjet është edhe ai në fshatin Jagodë të Klinës. Fluksin e pritjes së trenit e kujton edhe Driton Zefaj i cili është nga po i njëjti fshat.
“Ky stacion ka qenë këtu edhe më herët por nuk ka qenë ky objekt, ka qenë një vagon, por si vend ka qenë gjithmonë stacion. Është ndërtuar pas luftës dhe i është lënë hekurudhës që të përdoret si stacion ose për ata që e presin trenin. E mbaj mend kur këtu vinte treni edhe nuk na zinte, kemi mbet pa shku në Pejë se nuk na zinte treni. Sot treni vjen i zbraztë pa asnjë njeri në të”, tha Zefaj.
Këto stacione kanë vlerë kulturore dhe arkitekonike për faktin se secila prej tyre është e ndërtuar me gurë. E për to asnjëra nga institucionet nuk ka bërë hulumtim të detajuar për vitin e ndërtimit dhe për mënyrën e të punuarit, por zyrtarët e Infrakosit kanë arritur t’i sigurjnë disa informacione bazë.
“Mundësitë e hulumtimit kanë qenë shumë të kufizuara. Ajo çka e kemi arrit me pas ka qenë një trashëgimi arkivore e hekurudhave të Kosovës e cila është bartur nga arkiva jugosllave. Ato shenimet kanë qenë shumë të pakta por kemi marrë disa të dhëna dhe e kemi formuluar një dokumentacion për historikun e tyre”, tha Valdrin Kasumaj, zyrtar në Infrakos.
Nga Drenasi deri në Pejë janë 15 stacione por rëndësia e tyre përcaktohet në bazë të vendndodhjes. Për fat të keq vlera e tyre deri më tani nuk është peshuar, për faktin se secila është më keq se tjetra.
Burimi: botasot.info


