Këshillin Bashkiak të Tiranës do të mblidhet ditën e sotme (23 Shtator) për të propozuar shkarkimin e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, i cili prej datës 10 Shkurt ndodhet në qeli i akuzuar për korrupsion e pastrim parash.
Porosia për shkarkimin e Erion Veliaj nga detyra u dha nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së (11 Shtator) ku shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kreun e Bashkisë Tiranë.
Pas Asamblesë, këshilltarët bashkiakë të PS-së u mblodhën në selinë e partisë më 17 Shtator, për të shqyrtuar porosinë e kryeministrit Rama për Veliajn.
Gjatë takimit, këshilltarët socialistë morën vendimin për t’i paraqitur Këshillit bashkiak në mbledhjen e ditës së sotme 23 shtator kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt, dhe nisjen e procesit për zgjedhje të jashtëzakonshme për bashkinë e kryeqytetit.
Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, këshilltarët e PS do të përdorin si argument mungesën e tij në detyrë për tre muaj.
Ligji për Vetqeverisjen Vendore përcakton në Nenit 62 se shkarkimi i kryetarit të Bashkisë propozohet nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tre-mujore të pandërprerë.
Në mbledhjen e këshilltarëve socialistë, e mbajtur në selinë e PS-së, u vendos që për procesin e shkarkimit të ndërmerret një nismë e re nga vetë ata dhe nuk do të shfrytëzohet kërkesa e depozituar nga këshilltarët demokratë.
Projekt-vendimi i shkarkimit të Erion Veliajt
Grupi i këshilltarëve të Partisë Socialiste në Bashkinë Tiranë, një ditë më pas ka depozituar Projekt-Vendimin për shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj.
Arsyeja kryesore thuhet në relacion, është mungesa e kryetarit në detyrë prej 3 muajsh për shkak të procesit penal, që sipas tyre e bën të nevojshme një udhëheqje aktive për kryeqytetin, veçanërisht në një periudhë të zhvillimit të shpejtë ekonomik dhe social.
Këshilltarët theksuan se kjo iniciativë nuk është pranim i akuzave ndaj Veliajt, por një domosdoshmëri ligjore dhe morale për t’i dhënë qytetit një drejtim të qëndrueshëm dhe efektiv.
Nëse miratohet, kjo kërkesë do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për vendim final.
Burimi: botasot.info


