Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi tha se reforma në drejtësi shkëputi politikën që kishte paralizuar sistemin gjyqësor.
Në Konferencën me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, Sadushi përmendi edhe vështirësitë me të cilat po has zbatimi i kësaj reforme.
Ai theksoi se Reforma në Drejtësi nuk ka dështuar, por është ngadalësuar për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm që u ndërtua.
Sokol Sadushi: Sot pas 30 vitesh Shqipëria përballet me një provë të re, ta shndërrojë rezultatin e reformës në drejtësi në një proces të qëndrueshëm konsolidimi institucional.
Reforma në drejtësi shkëputi lidhjet politike që kishin paralizuar gjyqësorin, shkatërroi kulturën e pandëshkueshmërisë dhe vendosi integritetin në qendër të debatit. Drejtësia shqiptare u perceptua si shpresë.
Drejtësia shqiptare duhet të tregojë maturi.
Duhet pranuar se ngritja e institucioneve të reja nuk është fundi i reformës, por vetëm fillimi i saj. Zbatimi i reformës është shoqëruar me vështirësi që lidhet me plotësimin e trupës së magjistratëve, me mungesë koordinimi me institucionet e reja dhe me kufizimin e interpretimeve përkatëse.
Reforma nuk ka dështuar, por është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm që u ndërtua.
Burimi: botasot.info


