Në Rahovec është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal, gjatë së cilës kryetari Smajl Latifi dhe 27 asamblistët e rinj dhanë betimin e tyre. Me këtë rast, Latifi mori zyrtarisht drejtimin e komunës për mandatin e tij të katërt, të tretin radhazi.
Në fjalën e tij para asamblesë, Latifi shprehu mirënjohje për besimin e vazhdueshëm të qytetarëve, duke theksuar se ky besim është një përgjegjësi e madhe dhe jo privilegj.
“Sot e vazhdoj mandatin tim si kryetar i komunës së Rahovecit për të tretën herë radhazi, të katërtën në këtë udhëtim të përbashkët. Ky është një besim i madh që një njeri mund ta marrë nga populli i tij. Këtë besim e marr sikur privilegj, por si detyrim”, deklaroi ai.
Latifi kujtoi rrugëtimin e përbashkët me qytetarët gjatë viteve të shkuara, duke përmendur sfidat, punën dhe vendimet e vështira që janë marrë për të çuar komunën përpara.
Sipas tij, Rahoveci “nuk ka kohë për të humbur”, ndaj puna duhet të vazhdojë me përkushtim dhe vendosmëri.
Duke folur për mandatin e ri, ai u zotua se do të jetë një etapë e re e përforcimit të zhvillimit të komunës.
“Rahoveci do të ecë drejt standardit, drejt përparimit dhe drejt një të ardhmeje që ndërtojmë me punë të përditshme”, u shpreh ai.
Latifi tha se ky mandat nuk duhet parë si arritje përfundimtare, por si thirrje për të mos u mjaftuar me punën e bërë deri tani.
Me betimin e dhënë, Latifi nis një tjetër kapitull në drejtimin e komunës së Rahovecit, duke premtuar vazhdimësi, përgjegjësi dhe ritëm më të shpejtë të zhvillimit.
Burimi: botasot.info


