Të gjitha familjet, bizneset e vogla dhe institucionet që kanë fatura energjie të papaguara deri në dhjetor të vitit 2023, do të mund t’i shlyejnë me këste mujore.
Drejtori i Departamentit të Shitjes dhe Arkëtimit në OSHEE-së, Mentor Hima tha në një intervistë televizive se “më 21 korrik të këtij vitit OSHEE ka miratuar skemat e reja të aktmarrëveshjeve për t’i dhënë mundësinë të gjithë klientëve debitorë të shlyejnë detyrimet e prapambetura të krijuara deri në vitin 2023”.
“Në këtë skemë parashikohen të përfshihen të gjitha kategoritë e klientëve familjarë dhe jofamiljarë. Në skemë do të përfshihen edhe familjet në nevojë, personat me status të veçantë, pensionistët duke u dhënë mundësinë të shlyejnë detyrimet e prapambetura me këste minimale 1200 lekë apo 2800 lekë” theksoi Hima.
Por, vijoi Hima, kjo nuk përjashton mundësinë e një kësti alternativ për të gjithë ata klientë që duan ta shlyejnë detyrimin total të energjisë elektrike për një kohë më të shkurtër, gjithmonë duke iu përmbajtur afatit maksimal, prej jo me shumë se 240 këste.
“Nëse klientët paguajnë me një këst të vetëm, përfitojnë reduktim kamate nga 50-100% në varësi të kategorisë që i përkasin”, tha Hima.
Ai sqaroi se në skemat e aktmarrëveshjeve të vitit 2025 parashikohet shlyerja e detyrimeve të krijuara deri në 31 dhjetor 2023.
“Të gjithë klientët që kanë krijuar detyrime gjatë 2024 e në vijim nuk do të përfshihen në këto skema me kusht që të shlyejnë paraprakisht detyrimet e krijuara rishtazi pra të 2024-2025”, nënvizoi Hima.
Për sa i takon dokumentacionit që duhet paraqitur për të përfituar, Hima tha se “duhet ID e aplikantit, për bizneset e vogla është dokumentacioni ligjor, NIPTI, regjistrimi i biznesit në QKB, dhe përgjegjësia tatimore. Kërkohet edhe një dokument nga tatimet që të vërtetojnë përgjegjësinë tatimore që i takojnë biznesit të vogël. Kurse për familjet me status të veçantë kërkohet një vërtetim për statusin e tyre”.
SKEMA PËR KLIENTËT FAMILJARË
-Pensionistët, ndihma ekonomike e status të veçantë, 1,200 lekë/muaj
-Klientët e tjerë familjarë, 2,800 lekë/ muaj
-Afati maksimal, 240 këste mujore
SKEMA PËR KLIENTËT JOFAMILJARË
Numri i kësteve Vlera e detyrimit
-24 këste 100,000 – 500,000 lekë
-48 këste 500,001 – 1,000,000 lekë
-60 këste 1,000,001 – 5,000,000 lekë
-84 këste 5,000,001 – 10,000,000 lekë
-120 këste mbi 10,000,000 lekë
REDUKTIMI I KAMATAVE/ PAGESË ME NJË KËST
-Klientët familjarë, reduktim në masën 70%
-Klientët jo-familjarë, reduktim në masën 50%
-Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë 100%
Burimi: botasot.info


