skandali i zgjedhjeve te dhjetorit avokati kerkon pezullimin e deputeteve nen dyshim ka edhe nje thirrje per prokurorine 697a28f135fb0

Skandali i zgjedhjeve të dhjetorit: Avokati kërkon pezullimin e deputetëve nën dyshim, ka edhe një “thirrje” për Prokurorinë

January 28, 2026
min lexim

23 personave i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj nga Gjykata Themelore e Prizrenit, kjo lidhur me dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit.

Personat që ndodhen në paraburgim dyshohen për për një sërë veprash penale lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit, përfshirë veprën penale kundër të drejtës së votimit, kanosjen, marrjen e ryshfetit dhe dhënien e ryshfetit, tha gjykata në një njoftim të dielën.

Të dyshuarit, të arrestuar të premten e kaluar gjatë një aksioni të gjerë në rajonin lindor të vendit, janë komisionerë dhe vëzhgues që kanë marrë pjesë në numërimin e votave.

Pas Prizrenit, autoritetet janë duke kryer hetime tani edhe në Ferizaj e në Malishevë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka dalë në një konferencë për media bashkë me Policinë e Kosovës, lidhur me aksionin e zhvilluar sot për dyshimet e manipulimeve me vota, në Komunën e Malishevës.

Gashi ka njoftuar se në Malishevë kanë qenë 75 vendvotime, ku 9 mijë e 57 vota janë të shtuara, ndërsa 7 mijë e 996 janë të hequra, raporton Klankosova.tv

Në total, diferenca ka qenë 17 mijë e 53 vota.

Po ashtu, kryeprokurori bëri të ditur se 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar, ndërsa janë ndaluar për 48 orë gjithsej 15 kryesues, teksa për të dyshuarit e tjerë do të vendosin për masën e sigurisë.

Nëse ndalemi deri më tani kandidatëve që i janë humbur votat janë: Fetah Paçarizi (PDK), Nait Hasani (PDK), Kujtim Gashi (PDK), Luljeta Veselaj Gutaj (PDK), Arianit Çollaku (PDK), Xhavit Uka (LDK), Fadil Demaku (PDK), Driton Selmanaj (LDK), Enver Hoxhaj (PDK), Xhavit Haliti (PDK), Arber Rexhaj (LVV), Rea Krasniqi (LVV), Anton Quni (LDK), Dafina Alishani (LVV), Valon Ramadani (LVV).

Disa nga kandidatët e lartëpërmendur kanë fituar edhe mandatin e deputetit dhe për këtë avokati, Gazmend Halilaj, thotë se nëse ekzistojnë dyshime serioze dhe të arsyetuara për manipulim të votës do të ishte akt i përgjegjshëm dhe etik që kandidatët përkatës të tërhiqen përkohësisht nga ushtrimi i mandatit.

Sipas tij, standardet morale dhe politike shpesh janë më të larta se ato penale.

“Si avokat dhe qytetar që beson në parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, mendoj se prezumimi i pafajësisë është themelor dhe askush nuk mund të shpallet fajtor pa një vendim gjyqësor të formës së prerë. Megjithatë, standardet morale dhe politike shpesh janë më të larta se ato penale. Në raste kur ekzistojnë dyshime serioze dhe të arsyetuara për manipulim të votës, do të ishte një akt i përgjegjshëm dhe etik që kandidatët përkatës të tërhiqen përkohësisht nga ushtrimi i mandatit, deri në sqarimin përfundimtar të çështjes. Kjo nuk është pranim faji, por respekt ndaj vullnetit të lirë të qytetarëve dhe integritetit të procesit zgjedhor”, deklaron Halilaj.

Sipas tij, demokracia nuk dëmtohet vetëm kur shkelet ligji, por edhe kur minohen standardet e ndershmërisë dhe transparencës.

Ai kërkon që prokuroria të hetojë edhe kandidatët që kanë fituar mandatet në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Mbajtja e mandateve nga persona nën hetime për abuzime zgjedhore cenon ndjeshëm besimin e publikut në demokraci, sepse krijon perceptimin se vota mund të manipulohet pa pasoja reale. Demokracia nuk dëmtohet vetëm kur shkelet ligji, por edhe kur minohen standardet e ndershmërisë dhe transparencës. Sa i përket rolit të Prokurorisë, është e domosdoshme që hetimet të jenë gjithëpërfshirëse dhe pa selektivitet, përfshirë edhe kandidatët që kanë fituar mandate në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nëse provohen parregullsi apo vepra penale, ligji duhet të veprojë qartë, duke mundësuar jo vetëm përgjegjësi penale, por edhe zhbërjen e përfitimeve dhe benefiteve të marra në mënyrë të paligjshme. Vetëm një qasje e tillë e barabartë dhe e vendosur rikthen besimin e qytetarëve në zgjedhje të lira, të ndershme dhe në institucione funksionale”, shton avokati.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

berisha denoncon ramen ne strasburg bllokoi kerkesen e prokurorise speciale per arrestimin e ballukut 697a28d528302
Lajmi i mëparshëm

Berisha denoncon Ramën në Strasburg: Bllokoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për arrestimin e Ballukut

me stelinen e kam mbyllur perfundimisht keijsi me inen do te vazhdoj jashte 697a36b1d25d3
Lajmi i radhës

“Me Stelinën e kam mbyllur përfundimisht”, Keijsi: Me Inën do të vazhdoj jashtë

Të fundit nga

ShkoLartë