Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji foli sa i takon garës elektorale për Tiranën.
“PD do të jetë shumë shpejt e gatshme për të konkurruar dhe për të zgjedhur alternativën më të mirë për qytetarët”, u shpreh ai, duke njoftuar se kandidati mund të zyrtarizohet brenda 2 ditëve.
“Nuk ka asnjë arsye për vonesë, përveçse diskutimeve me partitë e tjera për të pasur një kandidat të përbashkët”, argumentoi ai.
I pyetur për emra konkretë, ai tha se ka disa etapa që duhen kaluar, megjithatë të shumtë janë ata që shprehen të gatshëm.
Po a mund të jetë analisti Ermal Hasimja kandidati i opozitës së unifikuar?
“Të gjithë emrat, për të mos veçuar dikë ose tre emrat që janë diskutuar publikisht, janë emra me integritet përballë publikut, që nderojnë me profesionin e tyre, me backgroundin e duhur”, u përgjigj Salianji.
Sa i takon kandidates zyrtare të PS-së, Ogerta Manastirliu, u shpreh kështu:
“Shihni ç’a bilanci ka në arsim apo në shëndetësi, shihni raportet e fundit, qoftë edhe ato të Kontrollit të Lartë të Shtetit për tmerret në spitale”.
Hodhi poshtë çdo aludim për bojkot nga ana e të djathtëve.
“Partitë politike nuk krijohen për të qëndruar në garazh, PD është e detyruar në çfarëdo lloj rrethane të bëjë betejë. Sidomos PD, nuk mund të ketë asnjë lloj frike për t’u përballur!”, përfundoi Salianji.
Burimi: botasot.info


