Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama së bashku me drejtorin për Siguri në Komunën e Prishtinës kanë zhvilluar një takim koordinues me Policinë e Kosovës.
Rama ka thënë se mbështet pa rezerva veprimet e policisë dhe të gjitha institucioneve të rendit për identifikimin, sekuestrimin dhe shkatërrimin e armëve ilegale.
“Në këtë drejtim, Strategjia për armët e lehta dhe të vogla 2024–2028 është një instrument thelbësor.
E ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rama.
Njoftimi i plotë:
Situata e fundit është shqetësuese për secilin prej nesh. Prandaj, sot, së bashku me Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, me prioritet kemi mbajtur takim kordinues me Policinë.
Si Kryetar i Kryeqytetit, mbështes veprimet e Policisë së Kosovës dhe të të gjitha institucioneve të rendit për identifikimin, sekuestrimin dhe shkatërrimin e armëve ilegale. Po aq e rëndësishme sa veprimi pas ngjarjeve, është PARANDALIMI para se të ndodhin tragjeditë.
Në këtë drejtim, Strategjia për Armët e Lehta dhe të Vogla 2024–2028 është një instrument thelbësor. E ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, ajo synon:
* Parandalimin e përhapjes së armëve ilegale përmes kontrolleve të rrepta, procedurave të sigurta dhe vetëdijesimit qytetar.
* Reduktimin e stokut të armëve ilegale në qarkullim përmes fushatave për dorëzim vullnetar dhe operacioneve të synuara policore.
* Luftimin e kontrabandës dhe të rrjeteve të shpërndarjes përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
* Ndëshkimin e rreptë të atyre që shkelin ligjin, duke dhënë një mesazh të qartë se mbajtja ilegale e armëve nuk tolerohet.
Apeloj që të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë, të raportojnë çdo rast të dyshuar dhe të refuzojnë çdo praktikë që normalizon mbajtjen e armëve.
Siguria nuk është vetëm detyrë e institucioneve, është përgjegjësi e përbashkët.
Çdo armë ilegale e konfiskuar është një jetë e shpëtuar, një familje më e sigurt dhe një hap më afër një shoqërie pa dhunë të armatosur.
Burimi: botasot.info


