Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca përgatitore në të cilën Ermal Kutllovci ka kërkuar anulimin e vendimit të Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës (KPMShCK) lidhur me lënien në fuqi të shqiptimit të masës disiplinore të ndalimit të avancimit/emërimit në kategori më të lartë, me arsyetimin se sinjalizimi i keqpërdorimeve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) lidhur me rezervat shtetërore nuk përbën argument për shqiptimin e kësaj mase.
Në seancë ishte prezent vetëm Kutllovci, ndërkaq nuk ishte prezent askush nga KPMShCK-ja. Gjykatësi i rastit, Valbon Gjonbalaj, tha se pala e paditur është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kutllovci tha se përmes padisë ka kërkuar anulimin e pjesshëm të vendimit të KPMShCK-së, i cili kishte lënë në fuqi shqiptimin e masës disiplinore – ndalim i të drejtës për avancim.
Kutllovci deklaroi se paraprakisht MINT kishte nxjerrë vendim për largim nga puna, por se këtë vendim e kishte prishur KPMShCK-ja, duke e kthyer në rivendosje.
Edhe pas rivendosjes, MINT e kishte lënë në fuqi vendimin për largim nga puna, e më pas KPMShCK e kishte ndryshuar atë vendim, duke e kthyer Kutllovcin në pozitën e zyrtarit për cilësi të naftës dhe produkteve në MINT. Megjithatë, KPMShCK kishte lënë në fuqi masën e ndalimit të avancimit në institucion.
Sipas Kutllovcit, përderisa nuk janë gjetur shkelje me rastin e sinjalizimit të rastit të rezervave shtetërore, duke u prishur vendimi për largim nga puna, atëherë nuk ka bazë që të mbetet në fuqi masa “Ndalim i avancimit/emërimit në kategori më të lartë” për një periudhë dyvjeçare.
Gjykata administroi provat materiale, duke sqaruar në fund se palët, brenda afatit ligjor, do ta marrin vendimin me shkrim lidhur me padinë e ushtruar nga Kutllovci.
Sipas padisë së 30 gushtit 2024, Ermal Kutllovci ka paditur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMSHCK), duke kërkuar anulimin e pjesshëm të vendimit.
Në padi, Kutllovci fillimisht ka sqaruar se është i punësuar në Ministrinë e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në Departamentin e Rezervave Shtetërore, në pozitën e zyrtarit për cilësi të naftës dhe produkteve të naftës. Aty thuhet se më 7 mars 2022, eprori i tij – Drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore – kishte kërkuar që Kutllovci të nënshkruante një deklaratë konfidencialiteti për procedurën e furnizimit të rezervave shtetërore, në mënyrë që të mos zhvillohej procedura e hapur e prokurimit publik.
Kutllovci kishte refuzuar nënshkrimin e asaj deklarate, me arsyetimin se furnizimi me mallra për rezervat shtetërore, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore, nuk përbën përjashtim nga zbatimi i procedurave të prokurimit publik.
Pas refuzimit, në padi thuhet se drejtori i Departamentit kishte njoftuar hierarkinë për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës, me ç’rast sekretari i Ministrisë kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore ndaj tij, me arsyetimin se Kutllovci ishte përfshirë në shkelje të rëndë disiplinore. Kjo kishte rezultuar me nxjerrjen e vendimit për largimin e tij nga shërbimi civil.
Ndaj këtij vendimi, Kutllovci kishte ushtruar ankesë, por Komisioni i Ankesave nuk i kishte eliminuar shkeljet, andaj ai kishte ushtruar ankesë në KPMShCK, e cila e kishte aprovuar pjesërisht ankesën, duke e kthyer në punë, por duke lënë në fuqi ndalimin e avancimit në pozita zyrtare.
Sipas padisë, Kutllovci thekson se nuk ka kryer asnjë shkelje disiplinore dhe se në asnjë pikë të dispozitivit të vendimit nuk përmendet se cila shkelje i atribuohet atij, prandaj e konsideron të paligjshëm vendimin për shqiptimin e kësaj mase disiplinore.
Në fund të padisë, ai ka kërkuar që të aprovohet në tërësi kërkesëpadia, me propozimin që të anulohet pjesërisht vendimi i KPMShCK-së dhe atë pika e vendimit me të cilin i ishte shqiptuar masa disiplinore “Ndalim i avancimit/emërimit në kategori më të lartë për një periudhë dyvjeçare”, dhe të lirohet kështu nga përgjegjësia disiplinore.
KPMShCK ka ushtruar përgjigje në padi më 27 maj 2025, duke i propozuar Gjykatës refuzimin e padisë së Kutllovcit si të pabazuar në ligj dhe duke kërkuar që të mbetet në fuqi vendimi i tyre.
Sipas arsyetimit të KPMShCK-së, nga shkeljet e pretenduara të Kutllovcit, të konstatuara nga Komisioni Disiplinor i MINT-it, del se nuk është zbardhur gjendja faktike në tërësi dhe se masa e shqiptuar ndaj tij – largimi nga puna – nuk ishte në proporcion me shkeljen e pretenduar, që kishte të bënte me sjelljen jo të mirë gjatë takimit me menaxhmentin e lartë të MINT-it.
Prandaj, KPMShCK ka kërkuar nga Gjykata që të lë në fuqi vendimin, i cili si masë të vetme disiplinore kishte lënë në fuqi ndalimin e avancimit për dy vite.
Burimi: botasot.info


