56
Ohër, 29 dhjetor – Gjatë festave të fundvitit dhe Krishtlindjeve në Ohër do të ketë siguri të shtuar policore me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve, si dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve festive, thonë nga SPB Ohër. Nga atje thonë se në terren do të angazhohen një numër i shtuar i policëve nga qyteti, si dhe kolegë nga qytete të tjera.
Patrullimet do të kryhen në pjesët më të frekuentuara të qytetit, e sidomos në zonën qendrore, por edhe para objekteve të hotelerisë dhe restoranteve ku organizohen festa.
“Qëllimi kryesor i planit është rendi stabil dhe qetësia publike, janë kontaktuar edhe agjenci private të sigurimit. Janë planifikuar kontrolle të shpeshta, qëllimi është që festat të kalojnë në rend dhe qetësi publike të përsosur. Krimet të reduktohen në minimum ose të eliminohen plotësisht”, tha zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski.
Nga policia bëjnë thirrje për respektimin e rregulloreve ligjore, sjellje të përgjegjshme dhe raportim në kohë të shkeljeve të mundshme në mënyrë që festat të kalojnë në një atmosferë të qetë, të sigurt dhe dinjitoze. Shoferët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos i japin makinës nën ndikimin e alkoolit dhe të mos e rrezikojnë sigurinë e tyre dhe sigurinë e të tjerëve.
“Sa i përket trafikut, kontrollet do të jenë intensive në të gjithë qytetin, në hyrje të Ohrit dhe në të gjitha udhëkryqet. Aktivitetet e kontrollit do të jenë të drejtuara ndaj atyre që përdorin alkool dhe sigurisht që ata do të sanksionohen dhe largohen nga trafiku”, shtoi Dimoski.
Ohri pret mysafirë të shumtë gjatë festave. Sipas njoftimeve mysafirët më të shumtë këtë vit do të jenë nga Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi dhe diaspora.


