si ta mbani gjalle dashurine kur partneri juaj po mbytet ne pune 68ffef91a10e0

Si ta mbani gjallë dashurinë kur partneri juaj po “mbytet” në punë

October 28, 2025
min lexim

Të gjithë jemi gjendur në këtë situatë: duke parë partnerin tonë të “mbytet”në punë, pa ditur si ta ndihmojmë. Ose, ndoshta jemi vetë ne ata që ndihemi të mbingarkuar nga puna dhe vëmë re se kjo po ndikon në marrëdhënien tonë, por ndihemi të pafuqishëm për ta ndryshuar.

“Lodhja e tepërt nuk është vetëm një barrë personale, ajo është edhe një provë për vetë marrëdhënien. Nëse nuk trajtohet në kohë, distanca emocionale mund të kthehet në një boshllëk të pakthyeshëm”, shkruan gazetarja Nell Frizzell në një artikull për The Guardian.

Sipas Sue Armstrong, drejtoreshë klinike e organizatës Relate, qendra më e madhe e këshillimit për marrëdhëniet në Mbretërinë e Bashkuar, shumë punonjës sot janë nën presion nga kërkesa të paarsyeshme në vendin e punës. Ka raste kur puna duhet të vihet përkohësisht në plan të parë, si për shembull kur përgatitemi për një kualifikim profesional apo përmbyllim një projekt të rëndësishëm. Por nëse kjo bëhet rregull dhe jo përjashtim, marrëdhënia fillon të dobësohet.

Kur puna zë gjithë hapësirën dhe partneri largohet nga jeta e përbashkët e përditshme, kjo është një shenjë që duhet të ulemi dhe të flasim hapur e me ndershmëri për gjendjen e marrëdhënies.

Çfarë do të thotë mbështetje e vërtetë?

Armstrong thekson se një nga mënyrat më të fuqishme për të mbështetur partnerin është ta dëgjojmë me vëmendje, pa e gjykuar dhe pa nxituar të japim zgjidhje. Jo gjithmonë është e nevojshme të bëjmë diçka konkrete; shpesh mjafton mirëkuptimi, prania, një përqafim apo një bisedë e qetë dhe e ngrohtë.

Të tregojmë interes të sinqertë për punën e partnerit, edhe nëse nuk e kuptojmë plotësisht atë që bën, është një formë dashurie. Pyetje të vogla si “Si shkoi ai takim i vështirë?” mund të kenë shumë më tepër rëndësi sesa e mendojmë.

Si të qëndrojmë pranë partnerit 

Nëse nuk dimë si ta ndihmojmë, mund ta pyesim drejtpërdrejt:

“A do që të të dëgjoj apo të ndihmoj me diçka konkrete?”

“A dëshiron që sot të kujdesem unë për fëmijët?”

“A do doje të bënim një pushim të shkurtër, vetëm për ne të dy?”

Dashuria nuk shprehet gjithmonë me fjalë të mëdha, por me gjeste të vogla kujdesi.

Është njerëzore të ndihemi të shqetësuar kur e shohim partnerin tonë të mërzitet nga stresi; ndonjëherë mund të reagojmë me nervozizëm, xhelozi apo frikë. Por këto reagime shpesh e përkeqësojnë situatën. Pranimi, fleksibiliteti dhe komunikimi i qetë janë çelësat për të mbajtur marrëdhënien të shëndetshme edhe në periudha të vështira.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ngjarjet e dates 28 tetor 68ffee70201d9
Lajmi i mëparshëm

​Ngjarjet e datës 28 tetor

FB IMG 1761603352392
Lajmi i radhës

Mexhiti: Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, vendimtarë për të ardhmen politike të Tetovës

Të fundit nga

ShkoLartë