Dhuna që po kryente Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, në fillim të vitit 1999 po i shkakonte kokëçarje dhe ishte krejtësisht e papranueshme për njeriun me pushtetin më të madh në botë, në atë kohë, Bill Clinton.
Presidenti i shteteve të bashkuara nisi të diskutojë me aleatët e NATO-s mundësinë e ndërhyrjes në Kosovë.
Fillimisht, Clinton ishte pro idesë se SHBA mund të dërgojë trupa, por vetëm nëse ndalet dhuna dhe arrihet një marrëveshje e fuqishme paqeje, që pritej të niste në Rambuje, dy ditë pas kësaj ngjarje ku ai po merrte pjesë.
BILL CLINTON, president i Amerikës
“Koha për ta ndalur këtë konflikt në Kosovë është tani, para se të përhapet dhe ndërkohë që mund të frenohet me një kosto të pranueshme. Ne kemi rënë dakord me aleatët tanë për një strategji që besojmë se mund të sjellë paqe dhe ta mbështesë atë strategji me forcën e NATO-s.
Pavarësisht diskutimeve, një vendim final ende nuk ishte marrë, sipas Clinton
BILL CLINTON, president i Amerikës
Nëse arrihet një marrëveshje – dhe ky është një ‘nëse’ i madh – nëse arrihet një marrëveshje, një prani e NATO-s në terren në Kosovë mund të rezultojë thelbësore për t’u dhënë të dyja palëve besimin që u nevojitet për t’u tërhequr nga përleshjet. Nëse kjo ndodh, ne po e shqyrtojmë seriozisht mundësinë e pjesëmarrjes sonë në një forcë të tillë. Po e diskutojmë këtë tani me Kongresin dhe me aleatët tanë. Ende nuk është marrë asnjë vendim.”
Edhe Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright kishte thënë se Amerika ka interesa të qarta kombëtare në arritjen e paqes në Kosovë, por theksoi se çdo mision do të varej nga një marrëveshje e fortë dhe një tërheqje e forcave serbe.
MADELEINE ALBRIGHT, sekretare e shtetit, SHBA
“Amerika ka interesa të qarta kombëtare në një zgjidhje paqësore të këtij konflikti, të cilat krijojnë arsye bindëse që ne ta shqyrtojmë seriozisht pjesëmarrjen amerikane. Megjithatë, gatishmëria jonë për të marrë pjesë do të varet nga arritja e një marrëveshjeje të fortë dhe efektive, ndaj së cilës palët të tregojnë se janë vërtet të përkushtuara. Forca duhet të jetë në gjendje të veprojë në një mjedis të lejueshëm, përfshirë tërheqjen e një numri të mjaftueshëm të forcave serbe të sigurisë dhe një marrëveshje që kufizon armët dhe veprimtarinë e forcave paramilitare.”
Ollbrajt kishte frikë se mosndalja e luftë në Kosovë mund të shkaktonte telashe edhe në pjesë tjera të rajonit
MADELEINE ALBRIGHT, sekretare e shtetit, SHBA
Përhapja e konfliktit mund të ringjallë luftimet në Shqipërinë fqinje dhe të destabilizojë Maqedoninë e brishtë. Mund të ndikojë te aleatët tanë të NATO-s, Greqia dhe Turqia, dhe mund ta mbushë rajonin me refugjatë dhe të krijojë një strehë për terroristë ndërkombëtarë, trafikantë droge dhe kriminelë. Një konflikt rajonal do të minonte besueshmërinë e NATO-s si garantuese e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Kjo do të paraqiste një kërcënim që Amerika nuk mund ta injoronte.”
Por, në anën tjetër, autoritetet jugosllave refuzuan idenë e trupave paqeruajtëse të huaja dhe deklaruan se Kosova do të mbetej nën kontrollin e Serbisë.
Burimi: botasot.info

