si e humbi trump indine 693400c26a599

Si e “humbi” Trump Indinë?

December 6, 2025
min lexim

Nëse një ditë amerikanët do të pyesin “kush e humbi Indinë”, Donald Trump do ta dijë se ka qenë ai. Dhe nëse indianët do t’i drejtohen Narendra Modit me pyetjen “kush e humbi Amerikën”, kryeministri do të duhet të bëjë një ekzaminim ndërgjegjeje. Nuk është e thënë që marrëdhënia mes dy vendeve të rrënohet së afërmi, por vizita e Vladimir Putinit — pritur këto ditë në Delhi me madhështi, qilima të kuq dhe buzëqeshje — sinjalizon se raporti mes dy demokracive më të mëdha ka ngecur në rërë: gjatë njëzet viteve të fundit ishte përmirësuar shumë, sot është bllokuar, madje ndoshta po shkon prapa.



Modi dëshiron të bëjë të ditur se është mik i Putinit, ashtu si në fund të gushtit tregoi se kishte rivendosur marrëdhëniet me rivalin historik, Kinën e Xi Jinpingut. Moska dhe Pekini janë të kënaqur, Uashingtoni shikon në televizor. Përgjegjësitë e Shtëpisë së Bardhë në këtë përkeqësim janë të dukshme, duke filluar nga vendosja e tarifave 50% ndaj eksporteve indiane drejt Shteteve të Bashkuara. Por këto tashmë janë të ditura. Më interesante është të kuptohen zgjedhjet e Modit.

Për kryeministrin indian, viti 2025 ka qenë ndoshta viti më i vështirë në politikën e jashtme që kur ai erdhi në pushtet, në vitin 2014. Parimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Indisë ka qenë gjithmonë pavarësia nga çdo fuqi tjetër: quhej mos-rreshtim gjatë Luftës së Ftohtë, quhet multi-rreshtim sot. Në kohë normale, funksionon: bëhen marrëveshje me Amerikën, Rusinë, Kinën sipas interesit kombëtar. Por kur loja ashpërsohet, asgjë nuk falet. Modi e ka kuptuar këtë në praktikë: nëse blen naftë të zbritur nga Moska, Trump i dyfishon tarifat nga 25% në 50%.

Dhe nuk bën hapa pas, të paktën për tani. Çka u bën të qartë strategëve të shumëvlerësuar ndërkombëtarë në Delhi se India nuk është aq qendrore për shqetësimet e Uashingtonit. Ndërkohë që vendeve të tjera blerëse të energjisë ruse presidenti amerikan u ka bërë përjashtime, me atë që konsiderohet një demokraci mike është treguar i ashpër.

Mund të ndodhë që, pas vizitës së Putinit, ai të ndryshojë mendje (e bën shpesh), por gjatë muajve të fundit nga Shtëpia e Bardhë është lënë të kuptohet se India nuk ka shumë alternativa përveç një marrëdhënieje të mirë me Shtetet e Bashkuara, duke parë tensionet në detet që e rrethojnë: do të përshtatet. Dhe, për më tepër, nuk është aq qendrore në rrjetin e zinxhirëve globalë të furnizimit.

Jo se India nuk është një vend i rëndësishëm: është, nga këndvështrimi ekonomik, për demografinë e gjallë dhe për faktin se ka një ndikim të madh tek vendet e Jugut global, shumë prej të cilave, po ashtu, janë të multi-rreshtuara. Por për Trumpin nuk duket një vend i domosdoshëm; aq më tepër në Strategjinë e tij të re të Sigurisë Kombëtare që i jep rëndësi të veçantë hemisferës perëndimore.

Modi duhet të ecë në një shteg të ngushtë: Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh për eksportet indiane (të ndihmuara aktualisht nga dobësia e rupisë), ndërkohë ai nuk mund të shfaqet i dobët përballë Trumpit, por as nuk mund të lejojë të bëhet tepër i afërt me Pekinin, i cili në Oqeanin Indian kërkon një hegjemoni të bezdisshme. Kështu që ai ka zgjedhur ta presë Putinin — gjë që nuk e kishte bërë që nga viti 2021 — me të gjitha nderimet. Pse?

Sepse beson se ai po shkon mirë në Ukrainë? Sepse e sheh të rehabilituar nga Trump? Sepse kërkon prej tij një mbështetje që nuk mund t’i vijë as nga Uashingtoni, as nga Pekini? Vetëm sepse marrëdhënia mes Indisë dhe Rusisë është historike? Për të garantuar mundësinë për të blerë nga Moska sisteme mbrojtjeje dhe avionë luftarakë? Me gjasë, për të gjitha këto arsye. Një ekuilibrizëm që në një botë të përmbysur nuk është i lehtë as për Indinë. Delhi dhe Brukseli, për shembull, synojnë të firmosin një marrëveshje tregtare brenda vitit: pikërisht në muajin kur Modi lidh pakte me bishën e zezë të BE-së? Të humbasë Evropën?/Corriere della sera

Burimi: opinion.al

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

daut gumeni mes diplomacise dhe persekutimit shqiperia dhe greqia nderon poetin dhe ish diplomatin 6933fc857169e
Lajmi i mëparshëm

Daut Gumeni, mes diplomacisë dhe persekutimit, Shqipëria dhe Greqia nderon poetin dhe ish-diplomatin

Të fundit nga

Moti sot në Maqedoni

2 Shkup, 6 dhjetor – Sot vendi do të jetë nën ndikimin e motit të vranët në të gjithë territorin, i shoqëruar me reshje shiu. Sipas paralajmërimeve të Meteorologjisë (UHMK), reshjet do
ShkoLartë