Shtyhet sërish seanca paraprake për dosjen “Veliaj”. Seanca e radhës do të mbahet më 12 dhjetor. Nga të pandehurit, ka mbetur pa bërë mbrojtjen vetëm kryebashkiaki i Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, biznesmeni Gentian Sula, Shkëlqim Fusha si dhe shoqëritë.
Më herët, mbrojtja e ish-deputetes Klotilda Bushka kërkoi pushimin e çështjes ndaj saj me argumentin se nuk ka vepër penale, ose në të kundërt shpalljen e moskompetencës nga GJKKO.
Seanca e pak ditëve më parë, ku i pranishëm ishte edhe vetë Veliaj, u shty për shkak të kërkesës së tij për t’u njohur me aktet e dosjes. Ai kërkoi gjithashtu që të të mos vendosej në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe kushtetuese.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Më datë 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm si edhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.
Burimi: opinion.al


