shteti shqiptar per camerine 1925 1928 6ac275736533a

Shteti shqiptar për Çamërinë 1925–1928

October 4, 2026
min lexim

Traktati për minoritete, i nënshkruar pas Luftës së Parë Botërore pothuajse nga të gjitha shtetet e Evropës, ua njihte minoriteteve të gjitha të drejtat. Edhe Shqipëria, duke qenë ndër ato shtete që e nënshkruan këtë traktat, ia njohu minoritetit grek në Shqipëri të drejtat për të pasur shkolla në gjuhën amtare, ua garantoi jetën e pasurinë dhe ua njohu të drejtën që t’i kishin përfaqësuesit e vet në Parlament. Qeveria shqiptare shpresonte se edhe Qeveria greke, në të njëjtën mënyrë, do t’ua njihte po ato të drejta shqiptarëve që jetonin në Greqi. Realisht, kjo qeveri i njihte çamët si minoritet shqiptar, por, duke u mbështetur në religjionin e tyre, ajo përpiqej që t’i identifikonte ata me turqit, gjë që do t’i shërbente asaj për shkëmbimin eventual të popullsive greke dhe turke.

Përpjekjet parlamentare dhe qeveritare shqiptare ishin të vazhdueshme në favor të mbrojtjes së çamëve. Një aktivitet të veçantë në këtë drejtim e ka bërë edhe Mithat Frashëri. Ai, si përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i drejtohej ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë më 21 janar 1925 dhe e informonte se delegati shqiptar në Gjenevë kishte kërkuar që për çamët të merrej për bazë gjuha si kriter i origjinës. Në vazhdën e përpjekjeve shtetërore, më 18 gusht 1925, Mithat Frashëri, nga Athina, i drejtohej Erik Kolbanit, drejtor i Seksionit të Pakicave në Lidhjen e Kombeve, me ç’rast, ndër të tjera, theksonte:

“Pasi ka mundësi që Sekretari i Lidhjes së Kombeve të merret me çështjen e shqiptarëve myslimanë në Greqi, më lejoni t’ju përcjell kopjen e letrës sime të datës 12 gusht që sapo ia kam nisur Kryetarit të Përfaqësuesve të Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e pakicave shqiptare në Greqi.”

Në vazhdim e sipër të kërkesave për mbrojtjen e të drejtave të çamëve, varësisht nga qeveritë që ndërroheshin në Tiranë, Hysen Vrioni, ministër i Punëve të Jashtme, i drejtohej Erik Drummondit, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, më 16 nëntor 1925, duke i shkruar se Qeveria shqiptare ka prova konkrete se autoritetet greke të Çamërisë bëjnë ç’është e mundur për ta detyruar elementin shqiptar të mërgojë në Turqi dhe, për arritjen e këtij qëllimi, nuk zgjidhen fare mjetet. Ndërsa, nga përgjigjja e Drummondit drejtuar z. Vrioni, mësojmë se Lidhja e Kombeve kishte kërkuar raport nga Greqia për këto çështje.

Në bashkëpunim të ndërsjellë me Qeverinë, në mbledhjen e 2 dhjetorit 1925, kryetari i Parlamentit e paraqet si pikë të rendit të ditës edhe bisedimin për krijimin e një komisioni për vendosjen e emigrantëve, ku lexohet raporti i komisionit. U vendos që komisioni të emërtohej si Drejtori e Emigrantëve, ndërsa personeli i komisionit do të përbëhej prej një drejtori, dy këshilltarëve, një sekretari dhe një shërbëtori. Deputeti Rusi shprehu mendimin se, meqë ky komision ka rëndësi të veçantë, drejtori duhet të jetë person i zoti dhe të emërtohet si drejtor i përgjithshëm.

Po në këtë mbledhje u diskutua për ndryshimin e ligjit mbi ndarjen e tokave të shtetit për emigrantët bujq, ku edhe lexohet raporti i komisionit. Komisioni, në krye me deputetin Erebara, mori vendim që, nëpërmjet Dhomës së Deputetëve, t’i rekomandohet Qeverisë që ligji në fjalë të vihet në zbatim.

Lexohet art. nr. 1 si vijon: Të gjithë shqiptarët nga viset e mbetura jashtë kufirit të Shqipërisë që janë detyruar t’i lënë viset e tyre që nga data e botimit të këtij ligji kanë të drejtë të vendosen brenda kufijve të Republikës shqiptare, ku njëherësh fitojnë nënshtetësinë dhe u zgjidhet një banim definitiv. Deputeti Rauf Fico ka vërejtje në formulim, sepse thuhet që nga data e botimit të këtij ligji dhe parashtron pyetjen: ata që kanë ardhur më përpara, a t’i dëbojmë? Ai kërkoi që formulimi të jetë më i saktë, që të mbetet rruga e hapur ligjore për të gjithë emigrantët. Deputeti Kolë Mjeda shprehu mendimin se deputetët nuk janë marrë me detaje, duke e konsideruar të mjaftueshme t’i rekomandohet Qeverisë ta zbatojë këtë ligj.

Në Parlament bisedohet për dërgimin e një komisioni parlamentar në Greqi

Në mbledhjen e 6 marsit 1926 bisedohet për dërgimin e një komisioni parlamentar në Greqi. Deputeti S. Blloshmi, në hapje të kësaj çështjeje, thekson se, ndonëse ishte caktuar një komision i mëhershëm për të shkuar në Greqi dhe për t’iu drejtuar Parlamentit të Greqisë që të ndërhynte te Qeveria greke për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve që jetonin në Greqi, ai komision nuk shkoi. Deputeti Blloshmi e konsideroi momentin të volitshëm të shkohej në Greqi për ngritjen e kësaj çështjeje, me arsyetimin se Qeverinë greke e udhëheq gjenerali Pangallos, duke e konsideruar si njeri me ndjenja miqësore për Shqipërinë. Përfundimisht, ky deputet shprehu mendimin se, në rrethanat e reja të krijuara, delegacioni i mëparshëm të shkonte tash në Greqi për mbrojtjen e çështjes së shqiptarëve në Greqi.

Deputeti Mihajl Kaso tha se propozimi i deputetit Blloshmi të vihet në rendin e ditës, sepse, pa u vënë në rendin e ditës, nuk mund të merret ndonjë vendim. Për deputetin Bahri Begolli, propozimi i deputetit Blloshmi ishte vënë në rendin e ditës dhe ishte pranuar në momentin kur ishte vendosur të dërgohej delegacioni për në Greqi. Ai mendon që nuk është e nevojshme të rivihet në rendin e ditës, por vetëm të pranohet.

Deputeti M. Tutulani theksoi se është e vërtetë se Dhoma e Deputetëve, në sesionin e parë, na kishte ngarkuar për të shkuar në Greqi në një mision gjysmëzyrtar, për të kërkuar nga Parlamenti grek që të ndërmjetësonte te Qeveria e saj për t’i siguruar interesat e shqiptarëve që ndodheshin në Greqi, por ngjarjet dhe kryengritjet që ndodhën në Greqi na ndaluan që të shkojmë. Sa më përket mua, Qeveria ma ka ngarkuar një mision për të shkuar në Beograd, kështu që unë nuk mund të shkoj në Greqi, prandaj paraqes dorëheqjen nga misioni i parë. Deputeti Blloshmi, duke mos u pajtuar me deputetin dhe juristin Mihajl Kaso që çështja të vihet në rend të ditës, tha se deputeti Tutulani vetë ofroi dorëheqje, por, pavarësisht nga kjo, ka lutje që të mos ndalohet komisioni për Greqi, por të dërgohet sa më parë që të jetë e mundur.

Deputeti Kaso, duke e mbrojtur qëndrimin e vet se kjo çështje duhet prapë të vihet në rendin e ditës, theksoi: “Unë edhe mund të pranoj, por nga 57 deputetë sa janë, mund të ketë në mesin e tyre të cilët e konsiderojnë të paarsyeshme dërgimin e këtij komisioni. Kjo është arsyeja që po insistoj të vihet në rendin e ditës dhe atë ditë të bisedohet në Parlament.”

Ministri i Punëve të Jashtme, Hysen Vrioni, në emër të Qeverisë, kërkoi nga deputetët Pojani dhe Tutulani që, sa më parë, së bashku me shokët, të niseshin në misionin që u është caktuar dhe i cili është me nguti. Për deputetin Blloshmi është e padrejtë përzierja në punët e Qeverisë, por konsideron se komisioni duhet të shkojë sa më parë, sepse shqiptarët që ndodhen atje po vuajnë. Ai i sugjeroi kryetarit të Parlamentit që fillimisht të votohet komisioni që duhet të shkojë në Greqi e pastaj të zgjidhen personat.

Deputeti Kolë Mjeda: Qëllimi është mbrojtja e vëllezërve në Greqi dhe nuk është e rëndësishme a dërgohet komisioni nga Parlamenti apo nga Qeveria

Duke e konsideruar situatën të favorshme, deputeti Fiqeri Rusi rikujtoi se atëherë planifikohej të dërgohej një komision parlamentar në një strukturë tjetër udhëheqëse, kurse sot po dërgohet te gjenerali Pangallos. Për ministrin e Jashtëm Vrioni, kjo çështje nuk është kompetencë e Qeverisë, por e Parlamentit, prandaj ai duhet të vendosë. Edhe deputeti Bahri Begolli u pajtua me mendimin e ministrit të Jashtëm se Parlamenti duhet të vendosë.

Në vazhdën e këtyre diskutimeve, deputeti Kolë Mjeda mendoi që qëllimi parësor është mbrojtja e vëllezërve tanë në Greqi, duke theksuar se nuk është e rëndësishme a dërgohet komisioni nga Parlamenti apo nga Qeveria. Ata të mjerët vuajnë, kurse ne po tallemi.

Në fund fjalën e mori deputeti Fiqri Rusi, i cili theksoi se nuk kundërshton askush shkuarjen e një komisioni për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve që ndodhen në Greqi, por është traditë që një parlament dërgon një komision te parlamenti tjetër e jo në qeveri. Atëherë, kur u mor vendimi, komisioni që do të dërgohej do të shkonte në Parlamentin e Greqisë e ai të ndërmjetësonte në Qeverinë e tij, por tani po duam të dërgojmë një komision në një qeveri. Duke u arsyetuar me mungesën e sqarimeve të duhura, ky deputet propozoi që të nxitoheshin dhe kërkoi që një vendim i duhur të merret në të ardhmen, pasi të mendohet mirë. Propozimi i deputetit Rusi u pranua nga Parlamenti.

Nga presioni ndërkombëtar, si dhe parlamentar e qeveritar i Tiranës zyrtare, më 16 mars 1926, presidenti i Këshillit të Lidhjes së Kombeve, Kukujiro Ishii (japonez), deklaroi se Ministria e Jashtme greke pranonte se shkëmbimi i popullsive në Epir kishte përfunduar dhe se asnjë mysliman tjetër i Epirit nuk do të shpërngulej për në Turqi. Ndërkohë, ministri i Jashtëm grek, J. Kanakaris, e informoi të ngarkuarin e Shqipërisë me punë në Athinë se Qeveria greke çamët myslimanë të Greqisë do t’i konsideronte si shqiptarë.

Në mbledhjen e 25.5.1927, deputeti Maliq Bushati i drejtohej kryetarit të Parlamentit me pyetjen: “Pse Qeveria nuk ka ardhur në Parlament për të dhënë shpjegime mbi gjendjen e Çamërisë, sepse atje po bëhen shpërdorime me pasuritë e tyre?” Për këtë çështje dhe në mbrojtje të të drejtave të vëllezërve të tyre çamë dolën disa deputetë. Në fund fjalën e mori deputeti Begolli, i cili tha se, meqenëse u pranua që t’i rekomandohet Qeverisë për pasuritë e nënshtetasve shqiptarë që gjenden në Greqi, lut që kjo praktikë të merret parasysh edhe për shqiptarët që pasurinë e tyre e kanë në Jugosllavi.

Në kuadër të përpjekjeve për mbrojtjen e çamëve, nga njëra anë, dhe ruajtjen e raporteve të mira fqinjësore me Greqinë, më 24 janar 1928, Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme e paraqiti raportin mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke, në të cilin, pos tjerash, theksohej:

“Një ndër bazat kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë vendosja e një miqësie të ngushtë me Greqinë. Kjo nuk nënkuptonte që të hiqej dorë nga mbrojtja e të drejtave të çamëve. Me vendimin e Këshillit të Ministrave në Tiranë, të datës 3 janar 1928, në shkurt të vitit 1928, Milto Tutolani, në cilësinë e deputetit, dhe Xhafer Villa, si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme shqiptare, u dërguan në Athinë t’i sugjeronin Qeverisë greke që t’i plotësonte obligimet e marra nga traktatet e nënshkruara me Shqipërinë dhe të verifikonin në vend se si po zbatoheshin të drejtat e popullsisë çame. Me atë rast u konstatua se Qeveria e Athinës nuk i zbatonte fare angazhimet e marra dhe pretendonte shkombëtarizimin e plotë të asaj popullate. Në këto rrethana të pafavorshme për çamët, Qeveria shqiptare iu drejtua me një letër ministrit të Jashtëm grek, Mihallopollus, duke u ankuar lidhur për shpronësimin pa asnjë dëmshpërblim të çamëve dhe shkatërrimin e plotë ekonomik të tyre. Kërkesat e Qeverisë Shqiptare ishin në pajtim me marrëveshjen që Qeveria greke kishte marrë angazhime në Konventën konsullore ndërmjet këtyre dy vendeve më 13 dhjetor 1926, që, në rast rekuizimesh dhe shpronësimesh, të dëmshpërbleheshin në mënyrë lineare banorët shqiptarë të Greqisë.”

Qeveria iu drejtua me një letër ministrit të Jashtëm grek Mihallopullus

Parlamenti dhe Qeveria, në luftë për mbrojtjen e bashkëkombësve, angazhoheshin njësoj si për shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët e Çamërisë. Përfaqësuesit e Qeverisë, duke dalë në mbrojtje të popullit çam, të cilit po i kanosej rreziku i shpërnguljes në Turqi (shkëmbim me grekët e Turqisë), iu drejtuan disa herë Lidhjes së Kombeve. Krahas përpjekjeve diplomatike, Qeveria punoi në mënyrë intensive që emigrantëve çamë, të përndjekur nga dhuna greke dhe të vendosur në Shqipëri, t’u krijoheshin kushtet e mundshme jetësore.

Duke dalë në mbrojtje të çamëve në Parlament, pati pikëpamje që një trajtim i tillë të zbatohej edhe ndaj minoritetit grek në Shqipëri (pra, të zbatohej reciprociteti). Çështja e vendosjes së emigrantëve shqiptarë në shtetin amë ishte rregulluar me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, nr. 1257/IV, të datës 23.10.1923. Në nenin V të këtij vendimi theksohet se familjeve të emigrantëve, përveç gjysmë hektari që u falej, u jepeshin për punë edhe dy hektarë tokë.

Këtu duket qartazi se të gjithë emigrantët që dëshironin të vendoseshin në toka të shtetit do të merreshin gjithsesi me bujqësi. Kjo bindje forcohet edhe nga neni IV, në të cilin thuhet se emigrantët kanë të drejtë, përveç dy hektarëve të përmendur në nenin V, të punojnë në pasurinë e shtetit edhe toka të tjera bujqësore.

Neni X përcakton qartë se vendosja e emigrantëve bëhej nëpërmjet nëpunësit të bujqësisë, kurse truallin ose tokën e caktonte komisioni. Ligji mbi vendosjen e emigrantëve, pas diskutimeve, ishte votuar në Parlament në mbledhjen e tij të pestë, më 31.5.1923, me ç’rast qartazi dilnin në pah përpjekjet e Qeverisë së Zogut dhe të Parlamentit për t’i ndihmuar dhe për t’u krijuar kushte, në suaza të mundësive, vëllezërve të tyre emigrantë. Parlamenti dhe Qeveria, në suaza të mundësive, e përkrahën këtë pjesë fatkeqe të popullsisë, e cila, në një farë mënyre, mburojë të vetme e kishte Shqipërinë.

Njëri ndër prioritetet parlamentare dhe qeveritare në raport me emigrantët, përveç sigurimit të ushqimit dhe strehimit, ishte edhe përkujdesja për veshmbathje. Në mbledhjen e 78-të, të mbajtur më 10 dhjetor, ishte aprovuar projektligji për një kredi prej 200.000 frangash ari për t’i përballuar shpenzimet e emigrantëve.

Edhe në mbledhjen e datës 23.V.1928, Kryesia e Këshillit të Ministrave e diskutoi modifikimin e Ligjit të emigracionit, ndonëse ishte i pranuar nga Këshilli i Ministrave dhe Kryesia e Dhomës së Deputetëve. Pika kryesore që u pa si e domosdoshme për rishqyrtimin e këtij projekti kishte të bënte me faktin se, në kohën kur ishte paraqitur ky projekt, nuk ishte marrë mendimi i Ministrisë së Financave dhe as i Ministrisë së Drejtësisë. Prandaj, Qeveria, për ta rregulluar në mënyrë sa më të kënaqshme gjendjen e emigrantëve, kërkonte që ta formonte një komision me përfaqësim të Ministrisë së Financave dhe të asaj të Bujqësisë, të cilat kishin dijeni të plotë për pasuritë e shtetit dhe që do të ndihmonin në sistematizimin dhe vendosjen e emigrantëve.

Megjithatë, shtypja dhe represioni mbi shqiptarët në Greqi nuk kishin të ndalur. Nga ana tjetër, edhe përpjekjet parlamentare për mbrojtjen e çamëve si minoritet kombëtar ishin të vazhdueshme. Kështu, Dhoma e Deputetëve, në mbledhjen e 18.5.1927, vendosi që më 23.5.1927 ta thërriste Qeverinë shqiptare për ta njoftuar lidhur me padrejtësitë që Qeveria greke po ua bënte çamëve.

Polemika në Lidhjen e Kombeve ndërmjet përfaqësuesit shqiptar dhe atij grek

Me kërkesat e vazhdueshme parlamentare, si dhe këmbënguljen e Qeverisë, problemi çam u bë objekt rishqyrtimi në sesionin e 50-të të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, që u mbajt nga 4 deri më 9 qershor 1928. Mehdi Frashëri, përfaqësues i Shqipërisë, me këtë rast mbajti fjalim, në të cilin shprehu qartë qëndrimet e Qeverisë, duke dëshmuar se ajo kishte dhënë prova të shumta, prova të sakrificave maksimale, por, fatkeqësisht, Qeveria greke nuk i kishte pranuar propozimet shqiptare.

Si në mbledhjen e 5 qershorit, ashtu edhe në vijimin e saj më 9 qershor, pati polemika të ashpra ndërmjet përfaqësuesit shqiptar, Mehdi Frashëri, dhe përfaqësuesit grek, Politis, lidhur me çështjen çame. I ndodhur në pozitë të vështirë, në mungesë të fakteve, përfaqësuesi grek përsëriste shpesh shabllone, duke thënë: “Pala shqiptare s’ka të drejtë të përzihet në çështjet e brendshme të një vendi tjetër, se çamët ishin shtetas grekë dhe se pretendimi i shtetit shqiptar për t’u hequr si mbrojtës i tyre përbënte një shkelje të sovranitetit grek”.

Me gjithë buxhetin e limituar dhe kërkesat jashtëzakonisht të mëdha, Parlamenti shqiptar përkujdesej për trajtimin e duhur, në suaza të mundësive buxhetore, edhe për atdhetarët që i kishin kryer shërbime atdheut dhe familjet e tyre pas vdekjes.

Se, në raste të caktuara, Parlamenti trajtonte edhe kërkesa individuale të personave të caktuar që u shkileshin të drejtat njerëzore, dëshmon edhe diskutimi i kërkesës së Ragip Çakiçit dhe Mustafë Goricës nga Selaniku. Në mbledhjen e datës 30.5.1927 njoftohet se të lartpërmendurit e kishin pasurinë e tyre në Greqi dhe se autoritetet greke po donin t’ua konfiskonin. U theksua se kjo është shkelje e marrëveshjes, sepse në mes dy shteteve ka marrëveshje sipas të cilës nënshtetasit shqiptarë në Greqi dhe nënshtetasit grekë në Shqipëri ta kenë të drejtën mbi pronësinë e tyre. Me atë rast kërkohet nga Qeveria që të marrë masat e duhura te Qeveria greke për moskonfiskimin e tokave të shqiptarëve.

Në diskutimin e tij, edhe deputeti Eshref Frashëri kërkoi që Qeveria të marrë masat e duhura për këtë çështje, kurse deputeti Vuçiterni, krahas këtij problemi me shqiptarët në Greqi, ngriti një paralelizëm edhe me shqiptarët në Jugosllavi. Duke theksuar se ishte dëshmitar i marrëveshjeve, si me Greqinë, ashtu edhe me Jugosllavinë, deputeti Vuçiterni theksoi se në ato marrëveshje ekzistonte një nen, ku theksohej se nënshtetasit duhet të gëzonin të drejtat e kombit më të favorizuar. Ai i bëri apel Qeverisë që të bëjë protestat e duhura ndaj Greqisë dhe Jugosllavisë, ashtu që të respektohen marrëveshjet.

Edhe në mbledhjen e datës 31.10.1927, deputeti Eshref Frashëri kërkon nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e re që t’i përmbahen planit dhe programit qeveritar, duke theksuar:

“Programi i Qeverisë së re në politikën e jashtme përmban edhe dy pika, të cilat janë pasuria e shqiptarëve në Greqi dhe çështja e minoriteteve.”

Ai konstatoi se zgjidhja e këtyre dy çështjeve do të ishte nder për Qeverinë shqiptare, si dhe do të marrë urimet e atyre të mjerëve që po vuajnë. Greqia ka dhënë vazhdimisht premtime për zgjedhjen e këtyre dy çështjeve, por këto premtime nuk janë realizuar. Ai apeloi që, nëse Greqia nuk i mban premtimet e dhëna, atëherë Qeveria shqiptare çështjen ta ngrejë në Lidhjen e Kombeve. Natyrisht se ky deputet, krahas çështjes së shqiptarëve që po vuanin në Greqi, e ngre edhe çështjen e shqiptarëve që po vuanin në Jugosllavi dhe kërkon edhe në këtë rast që, nëse nuk realizohen premtimet në rrugë qeveritare, atëherë ankesat të parashtroheshin në Lidhjen e Kombeve.

Ministri i Jashtëm shqiptar, Iljaz Vrioni, theksoi para parlamentarëve se, kur ishte në Lidhjen e Kombeve, e kishte takuar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Mihalokopulo, dhe ia kishte paraqitur shqetësimet e lartpërmendura dhe se Qeveria e kishte kryer punën e vet. Deputeti Sali Vuçiterni, duke e përgëzuar kabinetin e ri qeveritar dhe duke besuar në atdhetarinë e tyre dhe përpjekjet për mbrojtjen e minoriteteve, kërkoi që Qeveria ta ketë prioritet mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të ngelur jashtë Shqipërisë. Ai nuk u pajtua me ministrin Vrioni se e ka kryer punën Qeveria vetëm me ngritjen e kësaj çështjeje në momente të caktuara.

Prapë e mori fjalën deputeti Eshref Frashëri, i cili nuk u pajtua me ministrin Vrioni, që deklaroi se “ne e kryem detyrën tonë”, kurse në përgjigjen dhënë deputetit Sali Vuçiterni thotë se teorikisht e kemi kryer detyrën tonë, d.m.th. që janë bërë protestat. Deputeti Frashëri këmbëngul se detyra nuk është kryer, duke aluduar se detyra kryhet kur të shihen rezultate konkrete në përmirësimin e të drejtave të minoriteteve.

Ministri Vrioni, duke u arsyetuar me faktin se kanë bërë përpjekje, i përgjigjet deputetit Frashëri se një ministër nuk mund t’i nxjerrë zorrët jashtë dhe e fton deputetin Frashëri, si një patriot, siç e quan ai, të shkojë në ministri që t’i japë shpjegimet shtesë lidhur me këtë çështje. Deputeti Frashëri u shpreh se, pasi qenka fshehtësi që nuk mund ta thotë ministri, atëherë nuk duhet ta thotë as jashtë Parlamentit. Duke e arsyetuar punën e Ministrisë së Jashtme, Vrioni thekson se, me gjithë vështirësitë, Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më kryelartë se sot në politikën e jashtme.

Në polemikën që vazhdoi, deputeti Frashëri theksoi se ai është i vetëdijshëm se po punohet (por lë të nënkuptohet se nuk ka rezultate të dukshme), por mendon se, pasi nuk po shihen, të paktën nga ata (parlamentarët), rezultate konkrete, të protestohet edhe në Lidhjen e Kombeve. Përfundimisht, ministri Vrioni lë të nënkuptohet se për këtë problematikë ka edhe gjëra që nuk mund të thuhen në Parlament dhe e fton sërish se, nëse dëshiron të informohet personalisht në detaje, deputeti Frashëri të shkojë në Ministrinë e Jashtme.

Edhe në mbledhjen e datës 21.11.1927, deputeti Eshref Frashëri e ngriti çështjen e pasurive të shqiptarëve që ndodheshin në Greqi, duke pohuar se ministri i Jashtëm shqiptar ka deklaruar në Parlament se është dakorduar me ministrin e Jashtëm grek, Mihajlokopulos, dhe se kjo çështje do të rregullohet. Meqenëse deputeti Frashëri ndodhej në atë periudhë në Greqi dhe e kishte parë nga afër se Greqia nuk po i mbante premtimet, ky apeloi përsëri që çështja t’i drejtohej Lidhjes së Kombeve. Duke u deklaruar se ai dhe Shqipëria dëshirojnë fqinjësi të mirë dhe miqësi me Greqinë, theksoi se miqësia nuk bazohet vetëm në fjalë të bukura e në premtime, por në vepra konkrete.

Duke këmbëngulur se çështja duhet të dërgohet për zgjidhje në Lidhjen e Kombeve, deputeti Frashëri thoshte se do të zgjidhej në favorin e kërkesave shqiptare, sepse, siç thotë ai, Shqipëria po i respekton të gjitha të drejtat e minoriteteve.

Kam ruajtur edhe formulimet karakteristike të tekstit dhe gjuhën e burimeve, duke ndërhyrë kryesisht në drejtshkrim, gramatikë, pikësim, përsëritje të panevojshme dhe gabime të dukshme të shtypit.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

cila ishte karriera e mlladiqit ne maqedonine e veriut 6ac25ef077605
Lajmi i mëparshëm

Cila ishte karriera e Mlladiqit në Maqedoninë e Veriut?

be pergatit rrugen per shqiperine prezantohet strategjia e re me 6 tetor 6ac275efb1ab9
Lajmi i radhës

BE përgatit rrugën për Shqipërinë, prezantohet strategjia e re më 6 tetor

Të fundit nga

ShkoLartë