Billy Joel ka vendosur një rekord të ri – këtë herë jo në muzikë, por në tregun imobiliar.
Shtëpia e tij luksoze në Centre Island, e njohur si “MiddleSea”, është shitur për 28.75 milionë dollarë, duke u bërë shitja më e lartë rezidenciale në historinë e Long Island-it jashtë zonës së Hamptons.
Prona, e cila shtrihet në mbi 2,000 metra vijë bregdetare private me rërë, përfshin një rezidencë kryesore prej rreth 20,000 metrash katrorë, katër rezidenca të tjera luksoze dhe ambiente me standard resorti, duke ofruar privatësi maksimale.
Joel e bleu fillimisht pronën në vitin 2002 për 22.5 milionë dollarë dhe me kalimin e viteve e zgjeroi kompleksin nga 14 hektarë fillestarë. Në maj 2023, pas një rinovimi të madh që zgjati pesë vite, artisti 76-vjeçar e nxori në shitje për 49 milionë dollarë.
Sipas kompanisë imobiliare që menaxhoi shitjen, me përfshirjen edhe të shitjes së mëparshme të “gatehouse”-it për 7 milionë dollarë, prona ka gjeneruar në total 35.75 milionë dollarë.
Brenda, vila përfshin gjashtë dhoma gjumi dhe 11 banjo, një hyrje madhështore me tavane 30 metra të larta, shkallë mermeri, sallë balloje, pistë private bowling-u, bodrum vere me temperaturë të kontrolluar, spa dhe ambiente të shumta argëtimi. Jashtë gjenden fushë tenisi, pishinë dhe kopshte të kuruara.
Megjithatë, Joel ka theksuar se shitja e pronës nuk do të thotë largim nga Long Island. Gjatë një performance në fundvit, ai siguroi fansat se do të vazhdojë të qëndrojë i lidhur me komunitetin.
Burimi: botasot.info


