Pas evakuimit të disa shqiptarëve nga Izraeli 10 ditë më parë qeveria shqiptare është përfshirë në një operacion evakuimi të shtetasve tanë nga Irani.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha se pesë ditë më parë është bërë tërheqja e një familje shqiptare nga Irani përmes vendeve fqinje që janë vende mike dhe partnere.
“Kemi ruajtur vëmendjen maksimale edhe për shtetasit shqiptarë që gjenden në vende me të cilat ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike siç është Irani. Pesë ditë më parë kemi bërë të mundur tërheqjen e një familjeje nga Irani përmes vendeve fqinje që janë vende mike dhe partnere. Kemi bërë të mundur që një familje me dy prindër dhe tre fëmijë të mbërrijnë e të hynë në territorin e Republikës të Shqipërisë duke angazhuar fort gjithë networkun tonë diplomatik”, deklaroi shefi i diplomacisë shqiptare.
Hasani tregoi gjithashtu edhe përpjekjet diplomatike që shpëtuan nga dënimi me vdekje në Kinë shqiptarin Klaudio Kananin.
“Është detyra e shtetit shqiptar që të garantojë jetën e çdo shtetasi të vendit tonë. Unë jam njohur ekzaktësisht sot një vit më parë me situatën. Ka qenë deputetja e zonës Mirela Kumbaro e cila më ka njoftuar për situatën e krijuar, më pas ishit ju që na vutë në dijeni dhe kemi filluar menjëherë punën duke përdorur të gjitha mundësitë tona, kanalet diplomatike. I kam shkruar një letër ministrit të jashtëm. Kemi patur një korrespondencë të frytshme e cila pati një rezultat shumë pozitiv, por gjithashtu është shumë e rëndësishme që kudo ku shkojmë kudo ku jemi të respektojmë ligjet”, u shpreh ministri Hasani.
Ministri Hasani thotë se Kina nuk ka kërkuar asnjë favor për t’i hequr dënimin me vdekje të riut nga Tepelena. Tregon hapat që do të ndiqen për t’i mundësuar Kladio Kananit transferimin dhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri.
“Vazhduam punën me kolegun Manja dhe arritëm në një nivel tjetër, që të kemi një marrëveshje me Republikën Popullore të Kinës, për mundësinë e shkëmbimit të atyre të burgosurve që vuajnë kohë burgimi në vendet respektive në mënyrë që si me shumë vende të tjera që ne kemi marrëdhënie, që kjo koha e burgimit të vuhet në vendin e origjinës”, tha Hasani.
Burimi: botasot.info


