shqiperia emeron ministren e pare ne bote te krijuar nga inteligjenca artificiale politico diella do te merret me prokurimet publike 68c2edc7727b2

Shqipëria emëron ministren e parë në botë të krijuar nga inteligjenca artificiale. Politico: Diella, do të merret me prokurimet publike

September 11, 2025
min lexim

Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale — jo një ministre për AI, por një ministre virtuale e përbërë nga kode dhe e fuqizuar nga inteligjenca artificiale.

Emri i saj është Diella, që në shqip do të thotë rreze dielli, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha prokurimet publike, tha kryeministri Edi Rama të enjten.

Gjatë verës, Rama kishte hedhur idenë se një ditë vendi mund të kishte një ministre digjitale e madje edhe një kryeministër të inteligjencës artificiale, por pak menduan se ajo ditë do të vinte kaq shpejt.

Në asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë të enjten, ku Rama shpalli cilët ministra do të largoheshin dhe cilët do të vazhdonin mandatin, ai prezantoi edhe Diellën, të vetmen anëtare jo-njerëzore të qeverisë.

“Diella është anëtarja e parë që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale,” u tha Rama anëtarëve të partisë.

Rama deklaroi se vendimet mbi tenderat do të merren “jashtë ministrive” dhe do t’i kalohen në duart e Diellës, e cila është “shërbëtorja e prokurimit publik.” Ai tha se procesi do të jetë “hap pas hapi,” por Shqipëria do të bëhet një vend ku tenderat publikë janë “100 për qind të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon nëpër procedurën e tenderit është 100 për qind i lexueshëm.”

“Kjo nuk është fantashkencë, por detyra e Diellës,” tha ai. Diella është prezantuar tashmë para qytetarëve shqiptarë, pasi fuqizon platformën e-Albania, e cila u mundëson qytetarëve të aksesojnë pothuajse të gjitha shërbimet e qeverisë në mënyrë digjitale. Ajo ka edhe një avatar, që shfaqet si një vajzë e re e veshur me kostum tradicional shqiptar.

Diella do të vlerësojë tenderat dhe do të ketë të drejtën të “punësojë talente këtu nga e gjithë bota,” duke thyer “frikën e paragjykimeve dhe ngurtësinë e administratës.”
Shqipëria ka kohë që përballet me korrupsionin, veçanërisht në administratën publike dhe në fushën e prokurimeve publike. Ky problem është theksuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian në raportet e tij vjetore për sundimin e ligjit.
Rama fitoi një mandat historik të katërt në maj 2025, me premtimin për t’iu bashkuar bllokut deri në vitin 2030.


Top Channel

Burimi: top-channel.tv

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

bislimi ne bruksel per dialogun ldk ska legjitimitet institucional ta perfaqesoje kosoven 68c2ed20bc020
Lajmi i mëparshëm

Bislimi në Bruksel për dialogun, LDK: S’ka legjitimitet institucional ta përfaqësojë Kosovën

nje ze i heshtur nga dhuna perkujtim per charlie kirk un 68c2ee334b9c0
Lajmi i radhës

Një zë i heshtur nga dhuna: Përkujtim për Charlie Kirk-un

Të fundit nga

ShkoLartë