Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga takimi në Dibër, ku së bashku me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Pance Toskovski, nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e sistemit të kontrollit kufitar me një ndalesë në pikat e përbashkëta kufitare.
Sipas Lamallarit, marrëveshja synon të afrojë qytetarët e dy vendeve duke shkurtuar kohën e pritjes në kufi dhe duke lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve, bizneseve dhe turistëve.
Ai theksoi se Rruga e Arbrit, një investim me rëndësi kombëtare, ka filluar të japë efektet e pritshme, duke ndikuar jo vetëm në zhvillimin e Dibrës, por edhe në rritjen e qarkullimit në Pikën Kufitare të Bllatës.
Sipas tij, në këtë pikë kufitare kalojnë mesatarisht rreth 4.600 udhëtarë në ditë, ndërsa vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar afro 700 mijë qytetarë dhe rreth 300 mijë automjete.
Lamallari vlerësoi se sistemi me një ndalesë në të katër pikat kufitare do të përshpejtojë procedurat kufitare, duke sjellë përfitime për ekonominë, turizmin dhe qytetarët e të dy vendeve.
“Kur një kamion kalon më shpejt kufirin, fiton ekonomia. Kur një turist pret më pak në kufi, fiton turizmi. Kur një familje kalon më lehtë për të takuar të afërmit, fitojnë njerëzit. Dhe kur dy shtete punojnë si një ekip në kufi, fiton siguria e të gjithëve dhe e ardhmja jonë evropiane”, ka shkruar Lamallari.
Burimi: botasot.info


