Një 17-vjeçar është arrestuar në Elbasan, pasi dyshohet se është një nga personat e përfshirë në shpërthimin me lëndë plasëse të automjetit të zyrtares së bashkisë Elbasan, ngjarje e ndodhur një javë më parë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Porosia”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë lokalizuar dhe ndaluar të miturin me inicialet B. H., i cili dyshohet se ka qenë bashkautor në vendosjen dhe shpërthimin e eksplozivit në automjetin në pronësi të shtetases A. D.
Ngjarja u regjistrua më 5 nëntor 2026, në lagjen “28 Nëntori”, ku automjeti u shënjestrua me lëndë plasëse.
Sipas Policisë, 17-vjeçari dyshohet se ka pasur rol në vendosjen e eksplozivit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Njoftimi:
Elbasan/Vijon operacioni i koduar “Porosia”, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në shpërthimin me lëndë plasëse, të automjetit të shtetases A. D., një javë më parë.
Lokalizohet dhe kapet njëri prej autorëve, që dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në automjet.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit të datës 05.11.2026, në lagjen “28 Nëntori”, ku u shpërthye me lëndë plasëse automjeti në pronësi të shtetases A. D., u ndalua shtetasi në kërkim, B. H., 17 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se është bashkautor në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse.
Vijon puna për identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë ngjarje dhe individualizimin e përgjegjësive penale të tyre, nën drejtimin e Prokurorisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Burimi: botasot.info


