ASOM dhe kompanitë që përfaqëson kjo organizatë edhe një herë qartë dhe fuqishëm përcjellin mesazhin se ligji për mbylljen e lojërave legale të fatit nuk duhet të miratohet.
Ky ligj është para së gjithash i dëmshëm për qytetarët, për të punësuarit që do të humbin vendet e punës si dhe për sigurinë e lojtarëve.
Shoqata e bastoreve sportive të Maqedonisë (ASOM) u është drejtuar me një letër të hapur përfaqësuesve politik.
Ju drejtohemi me një letër të hapur për të demaskuar të gjitha sulmet ndaj industrisë sonë, të gjitha etiketimet dashakeqe, por edhe për të zbuluar tërësisht operacionin tinëzar për shkatërrimin e industrisë legale të lojërave të fatit që është në zhvillim.
“Pyesim publikisht, pse lejoni që një tërë degë industriale, që është padyshim më e rregulluara me ligj, që punëson ligjërisht dhjetëra mijëra njerëz dhe që paguan miliona euro taksa në mënyrë të rregullt, ta quani ‘mafi’ apo ‘bandë’? A janë mafiozë të punësuarit tanë, të cilët janë mbi 10.000 vetë, që ushqejnë familjet e tyre nga një punë e ndershme? A janë kompani mafioze ato që punojnë pa asnjë njollë? Apo ndoshta mafia është diku tjetër? Kjo retorikë është e turpshme, e pandershme dhe e papranueshme, e përdorur vetëm që dikush të përfitojë politikisht para zgjedhjeve”, thonë nga kjo shoqatë.


