Pas zgjedhjes kryetar, në një fjalë rasti Muçiqi tha se ndihet i privilegjuar që do të vazhdojë ta drejtojë shoqatën “Çamëria”.
Ai theksoi se për nëntë vite radhazi është punuar për çështjen çame dhe se do të vazhdohet me përkushtim.
“Dëmtimi i emrit ‘Çamëri’ mund të ndodhë vetëm mbi xhenazen time”, tha Muçiqi.
Ndërkaq, Muçiqi tha se porosia për shtetin e Greqisë është të vendosë në sipërfaqe çështjen çame.
Siç tha ai nëse kjo gjeneratë nuk do të arrijë ta zgjedhë çështjen çame, gjeneratat e reja do të vazhdojnë përpjekjet.
Derisa kërkoi mbështetje institucionale nga shteti i Kosovës.
Muçiqi: E lusim shtetin e Greqisë që ta vendosë në sipërfaqe çështjen çame dhe të punojë e ta trajtojë
“Punoni çfarë të doni, bëni çfarë të doni, por dëmtimi i emrit Çamëri, ndodhë vetëm mbi arkivolin tim, përndryshe nuk ka shanse…I lusim institucionet Greqisë, shtetin e Greqisë që ta vendosë në sipërfaqe çështjen çame dhe të punojë e ta trajtojë. Sepse dikur do të bëhet vonë. Vetë fakti që sot në kuvendin e pestë i kemi vendosë rininë që t’i shihni ballë për ballë dhe në sy, kjo flet shumë. Nëse nuk do t’ia arrijmë, këta të rinj do të vijnë dhe do t’i hapin ato dyer. Porosia për institucionet tona, shoqata ‘Çamëria’ në Kosovë nuk ka nevojë për juve. Ka nevojë për mbështetje institucionale, për kritika e këshilla“, tha Muçiqi.
Ndërkaq, sekretari i Shoqatës “Çamëria”, Isuf Kuçi, tha se kjo shoqatë është një nga boshtet kryesore të aktiviteteve kombëtare në Kosovë.
Sipas tij, që nga themelimi janë zhvilluar dhjetëra aktivitete, konferenca dhe nisma sensibilizuese, me synim ruajtjen dhe promovimin e historisë së Çamërisë, ngritjen e zërit për padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe sensibilizimin e brezave të rinj në Shqipëri e Kosovë për çështjen çame.
Kuçi: Gjatë periudhës nëntëvjeçare të ekzistencës të shoqatës ‘Çamëria’ në Kosovë, janë zhvilluar dhjetëra aktivteve kombëtare
“Gjatë periudhës nëntëvjeçare të ekzistencës të shoqatës ‘Çamëria’ në Kosovë, janë zhvilluar dhjetëra aktivteve kombëtare, konferenca, tubime, përkujtime dhe nisma sensibilizimi gjithnjë në koordinim me shoqatën patriotike ‘Çamëria’-Tiranë. shoqata ka marrë përsipër ruajtjen, promovimin, kujtesën historike të Çamërisë, ngritjen e zërit të padrejtësive të bëra ndaj kombit shqiptar, forcimi e uniteti kombëtar përtej kufijve politik, sensibilizimi i brezave të rinj në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë për çështjen çame”, tha Kuçi.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Zenel Krasniqi, tha se shoqata ka vazhduar të zhvillojë aktivitete me rëndësi për çështjen çame që nga themelimi.
Krasniqi: Shoqata “Çamëria” ka zhvilluar akvitete të larta për çështjen kombëtare që nga themelimi
“Jam i bindur që nga themelimi e deri më sot ka vazhduar kjo shoqatë me aktivitete shumë të larta”, potencoi Krasniqi.
Ndërsa, bashkëthemeluesi i Shoqatës “Çamëria”, Aziz Bytyqi, e cilësoi Muçiqin si lider të përkushtuar dhe tha se, përveç financimeve të shumta, ai ka ndihmuar në themelimin e degëve të shoqatës edhe jashtë trojeve shqiptare.
Bytyqi: Nexhmi Muçiqi është lider, bëri shumë për shoqatën “Çamëria”
“Nexhmi Muçiqit unë i kam thënë nuk je kryetar, edhe tani po i them, nuk je president, ti je lider i organizatës ‘Çamëria’, lider. Ai me të gjitha forcat e tij pa i ndihmuar askush asnjë cent, bëri mësime të mëdha. Jo që ishte i denjë në çështjen kombëtare si i ri. Por, përpos financimeve të mëdha, filloi edhe jashtë trojeve shqiptare, ku kishte shqiptarë të themelojë degë të shoqatës ‘Çamëria’,
Kryetari i iniciativës “Të gjithë për luftëtarin”, Ismail Selmani-Mala, tha se për dhjetë vite shoqata “Çamëria” ia ka kushtuar aktivitetin e saj çështjes shqiptare dhe asaj çame. “
Siç tha ai tani ka nevojë për punë, angazhim dhe unitet, derisa potencoi se “duhet ngritur zërin dhe arsyen, sepse kemi shumë arsye për të kërkuar tokën tonë”.
Selmani-Mala: Kjo shoqatë plot 10 vite të tëra ia dedikoi të gjithë kombit shqiptar e veçanërisht Çamërisë
“Kjo shoqatë plot 10 vite të tëra ia dedikoi të gjithë kombit shqiptar e veçanërisht Çamërisë…Në kohë luftërash, në dorë kishim armët, tani në kohë paqe, na duhet puna, angazhimi, uniteti…Ta ngrejmë zërin e arsyes sepse ne shqiptarët kemi shumë arsye për të kërkuar lirinë në tokat tona arbërore”, tha ai.
Në kuadër të këtij kuvendi, sekretar i shoqatës “Çamëria” u zgjodh Isuf Kuçi. Ndërkaq, nënkryetarë u zgjodhën Agim Berisha dhe Fadil Pushkolli.
Anëtarë të tjerë të kryesisë në këtë shoqatë janë Zenel Krasniqi, Riza Alija, Aziz Bytyqi, Reshat Blakçori e disa të tjerë./
Burimi: botasot.info


