Gazetari i njohur Ardit Rada komentoi në “Ora e Fundit” nisjen e procedurës për shkarkimin e Erion Veliajt, nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Ai thekson se Këshilli Bashkiak me vendimin e sotëm ka prodhuar një precedent juridik dhe politik.
Sipas gazetarit, kryeministri Edi Rama propozoi në Asamblenë Kombëtare emrin e kandidatit të ri për Tiranën me qëllim që të zgjidhet sa më shpejt ngërçi i krijuar në Bashkinë Tiranës, e cila është bashkia më e madhe e vendit.
Ai komentoi edhe qëndrimin opozitës në rastin e Veliajt. Sipas tij, opozita nuk ka qenë e sinqertë pavarësisht se artikulonte fjalët që Veliajt t’i përmbushej kërkesa për të qenë prezent në mbledhjen e Këshillit.
“Ka prodhuar një precedent për herë të parë sa juridik aq dhe politik. Del që kjo skema e komandimeve dhe emërimeve të kryetarëve paska qenë e dështuar dhe së dyti, Rama, si kryeministër i vendit, ka gjykuar që ta çojë Tiranën në zgjedhje të parakohshme së bashku me pesë bashkitë e tjera. Ky moment ka ardhur më tepër nga një vizion i kryeministrit për të pasur një bashki sa më funksionale, pasi është bashkia më e madhe në vend. Opozita nuk është treguar e sinqertë që prej dy javësh, që kur u mor vesh shkarkimi i Veliajt në Asamblenë e PS-së”, tha ai.
I pyetur se si e komenton përgjumjen e opozitës, e cila edhe pse votoi shkarkimin e Veliajt, ende nuk ka zgjedhur emrin e saj për të sfiduar kandidaten socialiste Ogerta Manastirliun, gazetari Rada bëri këtë koment:
“PD ka krizë të burimeve njerëzore. Nuk ka më njerëz. Opozita nuk është asgjëkund për emrat dhe me procesin që do të çojë në këto emra.”, tha ai.
Burimi: botasot.info


